Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën e Saimir Tahirit për shqyrtimin e zgjatjes së afateve të hetimit.
Lajmin e bëri të ditur vetë ish-ministri i Brendshëm, teksa në përfundim të seancës foli edhe për mediat.
Tahiri u shpreh se çështjen e përplasjes me Prokurorinë nuk e sheh si lojë golash. I pyetur nëse do të rikthehet në politikë, ish-ministri u përgjigj se ka kohë për të gjitha.
“Nuk e kam humbur durimin në asnjë moment, por besoj se kësaj maratone po i vjen fundi. Kjo histori nuk mund të zgjasë pa fund. Unë nuk e shoh si lojë golash, por si mundësinë time për të marrë drejtësinë që më takon. Për mua dhe prokurorinë fillon numërimi mbrapsht. Deri më 10 mars besoj që edhe prokuroria do ketë kohë të mbyllë hetimet. Kam mbajtur mbi kurriz akuza të rëndomta dhe skandaloze. Kur kjo ndodh me mua, merreni me mend çfarë ndodh me qytetarët e thjeshtë”, tha Tahiri.
Ish-ministri u pyet për prezencën e disa mbështetësve të tij në dyert e Gjykatës. Ai la të nënkuptohet se sikurse ka njerëz që e mbështesin, ka edhe nga ata që nuk e kanë dëgjuan.
“Unë kam fatin që të ndjej mbështetjen e njerëzve që kanë besuar tek unë, sikurse njerëz që kam pasur besim dhe kam dashur t’i shpjegohem, por nuk më kanë dëgjuar. Për mua rendesi sot ka drejtësia” – përfundoi ish-ministri i Brendshëm.