Nga Melvyn P. Leffler
Plani Marshall, ishte nima më e suksesshme e politikës së jashtme të SHBA-së gjatë Luftës së Ftohtë, dhe ndoshta më e suksesshmja në të gjithë historinë e Amerikës. Në Francë, Itali, Britaninë e Madhe, Gjermaninë Perëndimore dhe më gjerë, plani prej 13 miliardë dollarësh në ndihma, përshpejtoi rimëkëmbjen ekonomike, ngriti moralin, dhe zbehu joshjen ndaj komunizmit.
E gjitha kjo është e njohur. Por ajo që harrohet shpesh, është se Plani Marshall, nxiti tensionet e Luftës së Ftohtë. Duke nxitur rimëkëmbjen ekonomike të zonave perëndimore të pushtimit në Gjermani, dhe bashkimin e tyre në atë që u njoh si Gjermania Perëndimore, ajo nisi të nxiste frikë në mbarë kontinentin, nga Lindja në Perëndim, për spektrin e fuqisë së ripërtërirë gjermane.
Nga ana tjetër, kjo çoi në krijimin e NATO-s dhe ndarjen e Evropës.
Këto janë temat e librit të ri të Ben Stajl “Plani Marshall: Agimi i Luftës së Ftohtë”, që e analizon këtë nismë nga një perspektivë e madhe strategjike. Stajl ia atribuon realizmin që dominoi mendimin strategjik të SHBA-së gjatë asaj periudhe, interesit në rritje mbi gjeopolitikën, dhe ndikimin e mendimtarëve të tillë si gjeografi britanik Halford Makinder.
Në vitin 1945, dy vjet para shpalljes së Planit Marshall, disa nga ekspertët më të njohur të vendit në marrëdhëniet ndërkombëtare Frederik Dan, Eduard Ërl, Uilliam Foks, Grejson Kirk, Dejvid Roui, Harold Shpraut, dhe Arnold Uolfers, shkruan një studim për Institutin Brukings, në të cilën ata zbuluan se imperativi kryesor i sigurisë kombëtare të vendit, ishte parandalimi që çdo kundërshtar ose koalicion kundërshtarësh, të merrte nën kontroll Euroazisë.
Leksioni kryesor i Luftës së Dytë Botërore, argumentuan ata, ishte se armiqtë që mund të shfrytëzonin burimet, infrastrukturën industriale dhe punën e kualifikuar të të gjithë Evropës dhe Azisë, mund të tundoheshin të sulmonin, dhe zhvillonin një luftë të gjatë kundër Shteteve të Bashkuara.
Në pranverën e vitit 1947, ajo që i druheshin më shumë zyrtarët amerikanë nuk ishte agresioni ushtarak sovjetik. Ata shqetësoheshin edhe më shumë nga sfidat ekonomike, trazirat sociale dhe kaosi politik, me të cilën po ballafaqohej Evropa Perëndimore, dhe të cilat po ndodhnin në të njëjtën kohë kur Bashkimi Sovjetik, po krijonte një prani dominuese në Evropën Lindore.
Partitë komuniste, gëzonin një mbështetje të fortë në Francë dhe Itali, dhe një luftë e vërtetë civile ishte duke u zhvilluar në Greqi, midis të majtës dhe të djathtës.
Pra ndësa kushtet po vazhdonin të përkeqësoheshin, politikëbërësit e SHBA-së filluan të shqetësoheshin se Kremlini mund të ishte në gjendje të vendoste hegjemoninë në të gjithë Evropën, edhe pa një të shtënë të vetme armësh. Shumica e ekspertëve, e kuptuan se një pjesë kyçe e problemit ishte “hendeku i dollarit”: shumë vende nuk kishin monedha kombëtare të forta për të blerë ushqimet dhe karburantin e nevojshëm për rindërtimin e vendit. Dimri i egër i vitit 1947, i përkeqësoi këto mungesa.
Të detyruara të improvizonin, qeveritë vendosën kuota për importet, dhe kontroll mbi shkëmbimin e jashtëm. Në të gjithë Evropën, mori hov planifikimi qeveritar i ekonomisë. Në Mbretërinë e Bashkuar, Partia Laburiste shtetëzoi industritë e mëdha, dhe krijoi një shtet gjithëpërfshirës të mirëqenies sociale, që shtoi sfidat financiare të vendit.
Në të gjithë botën, kapitalizmi liberal dhe tregjet e hapura dukeshin të rrezikuara. Në qendër të përgjigjes së Uashingtonit ndaj këtyre sfidave, ishte një grup i shquar politikëbërësish, diplomatësh dhe gjeneralësh amerikanë:Marshall, Kenan, Eshson etj. Pasi bisedoi me Stalinin në Moskë në prillin e vitit 1947, Marshall arriti në përfundimin se diskutimi dhe negocimi nënkuptonte zvarritje, dhe kjo e fundit humbjen.
Siaps Marshall, Stalini po ruante momentin e tij, duke pritur që kushtet në Evropën Perëndimore të përkeqësoheshin. SHBA-ja duhej të vepronte. Kur u kthye nga Moska, Marshall urdhëroi Xhorxh Kenanin dhe Shtabin e Planifikimit të Politikave, të hartonin një program për rimëkëmbjen e ekonomive evropiane.
Në ritregimin e historisë së Planit Marshall, Stajl e vë theksin tek roli i SHBA-së në rimëkëmbjen e Gjermanisë dhe pasojat politike dhe strategjike që rrjedhin prej saj. Marshall dhe kolegët e tij, e kuptuan se zonat perëndimore të Gjermanisë ishin jetike për rindërtimin e përgjithshëm të Evropës, pasi qymyri gjerman në veçanti, ishte i nevojshëm për të ushqyer prodhimin industrial gjetkë.
Në të njëjtën kohë, Kenan dhe Marshall, vendosën të zgjerojnë ofertën e ndihmës për të gjitha vendet evropiane, përfshirë Bashkimin Sovjetik. Në fjalimin e mbajtur në Universitetin e Harvardit, Marshall tha se nisma nuk kishte për qëllim ndonjë vend apo doktrine të veçantë, por thjesht të luftonte “urinë, varfërinë, dëshpërimin dhe kaosin”.
Ky formulim ishte i matur. Nëse prezantohej si një masë anti-sovjetike, plani mund të kishte antagonizuar elementët kyç në Evropë, tek mbështetja e të cilëve varej suksesi i tij. Por duke e kushtëzuar pjesëmarrjen me një sërë parimesh që Stalini nuk mund t’i pranonte, politikëbërësit amerikanë, ishin në gjendje të garantonin pamundësinë e sovjetikëve, për ta sabotuar këtë nismë nga brenda.
Stajl që përdor edhe burime ruse në librin e tij, thoë se Stalini ishte i interesuar të ruante një formë minimale bashkëpunimi me Perëndimin. Sipas tij, nisma e kapi “në befasi” udhëheqësin sovjetik. Siç e parashikoi Kenan, Stalini orkestroi një konfiskim komunist të pushtetit në Çekosllovaki, ndërsa bllokoi Berlinin.
Në këtë mënyrë, ai shkaktoi krizën e parë të madhe të Luftës së Ftohtë, dhe e nxiti Uashingtonin të rishqyrtojë qasjen e tij. Shpejt u bë e qartë, se plani mund të provokonte luftë në një periudhë afatshkurtër, ose ta linte Evropën Perëndimore të cënueshme ndaj një pushtimi të mundshëm sovjetik në një periudhë afatgjatë.
Traktati i Atlantikut të Veriut, i cili themeloi NATO-n, ishte një pasojë e drejtpërdrejtë e Planit Marshall. Duke u ndalur në situatën aktuale, dhe leksionet që duhen nxjerrë ng e shkuara, Stajl sugjeron se Shtetet e Bashkuara duhet të pranojnë realisht një sferë sigurie ruse në Evropë. Realizmi në vitin 1947, synonte të ruante Europën Perëndimore dhe Gjermaninë perëndimore nga sundimi sovjetik, për çfarë lloj realizmi duhet folur sot kur bëhet fjalë për shtetet baltike, Krimenë dhe Evropën Lindore?
Për të zbatuar strategjinë e tyre, politikëbërësit amerikane, punuan pa u lodhur për të krijuar një marrëdhënie bashkëpunuese dypartiake, pa ndihmën e të cilit Plani Marshall, nuk do të ishte miratuar. Duke njohur rëndësinë e opinionit publik, ata filluan një fushatë masive të marrëdhënieve me publikun, dhe manipuluan me dinakëri parullat antikomuniste, për të mobilizuar mbështetjen.
Ata hartuan me kujdes një buxhet, që bazohej në nismat e tyre të politikës së jashtme. Dhe kur u bë e domosdoshme, ata e ndryshuan qasjen e tyre, duke pranuar pa hezitim nevojën për angazhime strategjike, dhe miratuan Traktatit të Atlantikut të Veriut. Kjo është ajo që u desh, që Plani Marshall të ishte një histori suksesi.
Marrë me shkurtime nga “Foreign Affairs” – Bota.al