Besimtarët myslimanë nisin nesër muajin e shenjtë të Ramazanit, që do të mbyllet më 4 qershor me faljen e Bajramit.
Muaji i agjërimit, një praktikë që ndiqet nga miliona besimtarë myslimanë në mbarë botën, është muaji i vlerave të larta njerëzore, morale e sociale, i solidaritetit dhe bashkëpunimit, mëshirës e virtytit.
Një ditë para nisjes së këtij muaji të bekuar për të gjithë besimtarët myslimanë, kryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, përcolli një mesazh urimi, në të cilin e vuri theksin te vëmendja ndaj familjes si baza e një shoqërie të shëndetshme.
“Të nderuar besimtarë. Koha kur jetojmë shfaq probleme të shumta, më të shpeshta ato të familjes shqiptare, ku shpesh ekuilibrat e vlerat lëkunden, duke prishur mbarëvajtjen e jetës shoqërore në tërësi. Lus Zotin që ky muaj i paqtë të na kthejë vemëndjen te familja, te lidhja mes pjesëtarëve të saj”, theksoi Spahiu në mesazhin e tij.