Zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda, ka apeluar sot te qytetarët, të cilëve u përfundon afati i vlefshmërisë së kartave të identitetit ID, qe t’u drejtohen zyrave të aplikimit për karta të reja, sa më shpejt që të jetë e mundur. E gjithë kjo, sipas zv.ministres së brendshme, bëhet për të shmangur rradhët e gjata në sportele deri në dhjetor, kur është edhe afati I fundit për të aplikuar për karta të identitetit.
Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, tha se kohët e fundit është vënë re një ulje e numrit të aplikuesve për karta identiteti, pas shtyrjes së afatit në fund të vitit.
“ Kemi vënë re një ulje të fluksit të kartave të identitetit kohët e fundit, kjo ndoshta dhe për shkak të vendimit të qeverisë për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë. I bëjmë thirrje qytetarëve të vinë dhe të aplikojnë, të mos e lënë për në momentin e fundit, për në dhjetor, pasi do të ketë një fluks tjetër të madh, lëshimi i pasaportave biometrike. Kjo do të vështirësojë pajisjen me karta identiteti”, tha zv.ministrja Voda.
Këto komente, zv.minsitrja i bëri pas inspektimit që u bëri sot zyrave të aplikimit për kartat e identitetit në Njësinë Administrative Nr. 8 e 9 në kryeqytet, së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjes Civile Bledar Doracaj.
Ndërkohë, vendimi për të shtyrë në fund të vitit aplikimet për ID të re, erdhi pas krijimit të radhëve të gjata në sportele.