3 Maji është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, ja pse…

Sociale

Në vitin 1993, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, bazuar edhe në nenin 19 të “Deklaratës së të Drejtave të Njeriut” mbi lirinë e shprehjes, shpalli 3 Majin si Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit. Kjo ditë festohet çdo vit në mbarë botën. Kjo ditë, sipas Kombeve të Bashkuara, shërben për të nëvizuar parimet themelore të lirisë së shtypit si dhe për të vlerësuar këtë liri në mbarë botën. Gjithashtu në këtë ditë theksohet rëndësia e mbrojtjes së mediave nga sulmet ndaj lirisë së tyre dhe nderohen gazetarët që kanë humbur jetën në krye të detyrës.

Shtypi i Lirë konsiderohet si dritarja që shërben për të zbuluar abuzimet e të drejtave të njeriut, ai përbën lirinë e shprehjes. Në kuadër të kësaj lirie, mediat dhe gazetarët kanë përgjegjësitë e tyre. Mjaft gazetarë në periudha të ndryshme kanë dhënë  një kontribut të madh në fushën e gazetarisë. Një i tillë konsiderohet në gazetarinë amerikane edhe Eduard R. Morrov, i cili filloi gazetarinë trasmetuese me valë të radios nëpërmjet trasmetimeve nga Londra, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Eduard Morrov besonte në lirinë shtypit, ai kryesoi Entin Amerikan të Informacionit për një periudhë kohe. 3 Maji shërben për të kujtuar dhe reflektuar rreth punës, kurajës dhe guximit të individëve që gjatë diktaturës komuniste dhanë një kontribut të madh me shkrimet dhe veprat e tyre të ndaluara nga regjimi i kohës dhe që për të mbrojtur lirinë e shprehjes disa e paguan edhe me jetë. Në kujtim të gazetarëve që kanë dhënë jetën për të drejtën për të qenë të informuar, UNESCO vazhdimisht në këtë ditë kërkon mbajtjen e një minute heshtje në kujtim të tyre. Përgjegjesia e gazetarit, medias apo botuesit është të raportojë vetëm të vërtetën me qëllim fuqizimin e lirive në vendet e tyre por dhe anembanë botës. Ky është mesazhi i Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit.

Share: