Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas kthimit nga pjesëmarrja e Samitit të Berlinit në Gjermani, sot në një konferencë për media ka vlerësuar iniciativën e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez, Emanuel Macron për organizimin e Samitit në Berlin.
Me këtë rast Thaçi ka thënë se paqja në rajon aktualisht është shumë e brishtë. Sipas tij Kosova po e pëson nga kjo gjendje e sidomos për mos liberalizimin e vizave, premtim të cilin sipas Thaçit, Kosova e mori nga BE-ja me miratimin e demarkacionit me Malin e Zi.
“Takimi i Berlinit ka qenë i ndarë në dy pjesë, pjesa e parë e fokusuar në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ka qenë inkurajues angazhimi i Kancelares Merkel dhe presidentit Macron, që të lëvizet nga kjo gjendje ku aktualisht rajoni është tërësisht i bllokuar. Prandaj, vlerësoj idenë dhe qëllimin e mirë të takimit të thirrur nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron. Përkundër faktit që shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008, i ka dhënë fund një procesi të shpërbërjes së ish -Jugosllavisë, paqja në vendet tona ende mbetet e brishtë. Kjo gjendje është rezultat i mosnjohjes së shtetit të Kosovës nga shteti i Serbisë”, u shpreh Thaçi.
Thaçi theksoi se Bashkimi Europian ka mashtruar Kosovën kur kërkoi ratifikimin e demarkacionit si kusht të fundit për liberalizmin e vizave, “kriter për vizat ka qenë demarkacioni me Malin e Zi dhe na premtuan se pas kësaj do të hiqeshin vizat. Por fatkeqësisht ky ishte një premtim mashtrues”, u shpreh Thaçi
Sa i përket dialogut, Thaçi tha se pozicioni i Kosovës në të dy prezantimet ka qenë i qartë.
“Dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë i pakushtëzuar, taksa duhet të mbetet në fuqi. Ishte një mesazh i qartë i kancelares gjermane dhe presidentit francez për shpejtueshmërinë e zgjedhjes së një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizim. Pozicioni i Kosovës është i qartë, Serbia duhet ta njohë Kosovën pa kushte, por duhet përgjegjësi më e madhe edhe nga Bashkimi Evropian, duke vlerësuar edhe rolin e ShBA-së”, tha presidenti Thaçi.
Sipas tij, në takimin e ardhshëm në korrik që do të mbahet në Paris, do të ketë dinamik të re.