Për Ylli Rakipin, situata aktuale është e ngjashme me atë të vitit të mbrapshtë 1997.
Në një intervistë dhënë dje në televizionin “News24”, gazetari dhe drejtuesi i emisionit “Të Paekspozuarit” deklaroi se vendi po shkon drejt anarshisë, njëlloj si në vitin që shkaktoi luftë mes shqiptarëve.
Duke bërë krahasimin me vitin 1997, Rakipi thotë se njësoj si atëherë edhe tani kryeministri e ka të pamundur qeverisjen.
“Një situatë shumë e vështirë është krijuar. Situatat nuk është se i ngjajnë njëra-tjetrës, po përsëritet një ’97, ku vidheshin depon, zbrazen pushkët.
Eshtë një gjendje edhe sot, pothuajse e tillë. Po ta vësh re, Edi Ramës i dalin gjithandej, sepse ka një vendim politik për këtë punë, në mënyrë që kryeministrit t’ia bëjnë gjithçka të pamundur, t’ia bëjnë të pamundur qeverisjen.
Dhe aktualisht Edi Rama me përjashtim të ndonjë vendimi për koorporatat që po krijon për interesat e veta, ai nuk është se po qeveris vendin. Dhe në këtë pikëpamje, jeta politike e vendit, drejtimi i vendit, është bllokuar. Ne nuk kemi tani një qeverisje”, deklaroi Rakipi.
Duke folur për qëndrimin e qeverisë për të hyrë pa opozitën në zgjedhje, Rakipi shprehet se një proces i tillë do të thotë konfrontim mes mbështetësve të opozitës dhe qeverisë.
Sipas tij, çështja e zgjedhjeve është jetike për opozitën dhe me 30 qershor partitë opozitare nuk do të lejojnë, edhe fizikisht, që një proces i tillë.
“Realisht Shqipëria është drejt një konfrontimi. Të dy palët po luajnë fort me nervat e njëra tjetrës. Opozita thotë nuk ka zgjedhje më 30 qershor dhe e ka jetike.
Ndërsa maxhoranca thotë me qetësi, ne do shkojmë në zgjedhje e do fitojmë të gjitha bashkitë, etj. Opozita reale e vërtetë, se kemi edhe opozitë të opozitës, nuk do të hyjë në zgjedhje.
Nëse bie Edi Rama, opozita shkon në zgjedhje, ky është kusht thelbësor. Pa këtë kusht opozita është e asgjësuar.
Opozita do t’i pamundësojë zgjedhjet më 30 qershor, ndoshta fizikisht, me përplasje”, deklaroi Ylli Rakipi.
Për gazetarin Ylli Rakipi një zgjidhje normale për vendin do të ishte që kryeministri Edi Rama të largohej nga posti në qeveri dhe të hynte në zgjedhje si kryetar i PS.
Sipas tij, një lëvizje e tillë do t’i jepte pikë Edi Ramës.
“Opozita nuk po kërkon të ndërrojë kokë për kokë, Edi Ramën me Lulzim Bashën. Nuk po thotë njeri të ikë Edi Rama, por ai t’i lerë vendin një qeverie tranzitore që do të çojë vendin, me një paketë reforme, në zgjedhje të lira e të ndershme, për herë të parë, pas 30 vjetësh, dhe Edi Rama merr meritë në këtë rast.
Opozita mund të humbë në zgjedhje dhe nëse ai (Rama) ka siguri absolute sikundër thotë se votat e tij janë rritur, bujrum bëj proceset normale, bëj reformat, shko në zgjedhje, fito, rri 20 vjet në pushtet. Kjo opozitë, sipas meje këtë po kërkon”, tha Rakipi.