Hëngrën drekë në Ohër, turistët thërrasin policinë kur shohin faturën

Aktualitet Kryesore Kulturë Sociale

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në qytetin e Ohrit. Disa turistë kishin shkuar për të drekuar në një lokal, kanë ngrënë, kanë pirë, deri këtu gjithçka në rregull. Por kur ka ardhur fatura turistët kanë mbetur të shokuar.

Në total ata kishin shpenzuar 50.000 denarë apo 833 euro. Ata kanë nisur të debatojnë me kamarierët.

Duke menduar se po u bëhet ndonjë mashtrim për shkak se janë të huaj, turistët kanë thirrur policinë.

 

Turisti Johannes shkruan në rrjetet sociale se ai dhe tetë miqtë e tij ishin ulur në një restorant për drekë, dhe 7 prej tyre porositën peshk, sallatë dhe perime që ata t’i ndanin. Porositën gjithashtu birra dhe verë të kuqe, e përveçse u kishin sjellë verën më të shtrenjtë, turisti thotë se ata sollën edhe gjëra që nuk i porosisnin.

“Ne ishim një grup prej nëntë personash dhe patëm një përvojë shumë të pazakontë në këtë restorant. Kur u ulëm, ata na thanë që kishin troftë të freskët nga liqeni, kështu që shtatë nga ne porositën disa peshk, të tjerët sallatë dhe perime për t’i ndarë. Porositëm birrë dhe verë të kuqe për të pirë.

 Në fillim ata na sillnin shumë më tepër sesa kishim porositur, dhe ata gjithashtu nuk na treguan se sa peshq do të sillnin. Kur mbërriti fatura pamë që ata na kishin dhënë verën më të shtrenjtë (një shishe prej 1500 denarë), dhe kishte gjëra që ne nuk i porositëm dhe nuk i morëm. Por ajo që u bë problematike ishte që ata pretendonin se na kishin shërbyer 12.5 kg peshk për shtatë persona, madje pa na pyetur sa donim. Në fund ata na dhanë një faturë mbi 50,000 denarë”, shkruan turisti.

Në fund, turistët paguan 660 euro dhe u larguan me përshtypjet më të këqija.

Share: