Cakaj takon homologen Kneissl: Austria mbështet Shqipërinë për çeljen e negociatave

Politikë

Ministri në Detyrë Cakaj zhvilloi një takim në Austri me homologen Karin Kneissl.

Në përfundim të takimit me homologen e tij Austriake Cakaj u shpreh se Austria do ta mbështesë Shqipërinë në integrimin e saj evropian. Gjithashtu Cakaj bëri me dije se fokusi i takimit ishte edhe rritja e bashkëpunimit dypalësh në fushën e ekonomisë, veçanërisht për rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.

Ministri në Detyrë Gent Cakaj, tha se Austria do t’i ofrojë Shqipërisë mbështetje diplomatike dhe teknike për kryesimin e OSBE që do të marrë Shqipëria në vitin 2020.

Ministrja e Jashtme e Austrisë inkurajoi Shqipërinë të çojë përpara reformat e ndërmarra, reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit.

Në fjalën e saj Karin Kneissl tha se Austria është një mbështetëse e fortë e Shqipërisë. Ajo vuri theksin në rezultatet e arritura nga qeveria Shqiptare veçanërisht në Reformën në Drejtësi dhe procesin e vetingut.

Gjithashtu Kneissl vuri në dukje qasjen bashkëpunuese të Shqipërisë me Bashkimin Evropian në luftën ndaj korrupsionit, trafikut të drogës dhe rritjen e sigurisë së doganave ku nënvizoi se është bërë një progres tejet i mirë. Ajo tha se qeveria Austriake do ta mbështesë Shqipërinë në këto procese.

Këto procese reformuese sipas Kneissl do ta bëjnë Evropën Juglindore dhe Bashkimin Evropian më të sigurt.

Share: