Disa të dhëna që na bëjnë ne shqiptarëve të mbajmë rekord botëror…

Aktualitet Sociale

Në raport me popullsinë, Shqipëria mban rekordin në botë për numrin e lartë të azilkërkueseve, por ka një normë shumë të ulët të njohjes së kërkesës së tyre.

Eurostat publikoi sot se mbi 300 mijë azilkërkues kanë përfituar mbrojtje në një nga shtetet e BE-së, ku 35% e tyre ishin sirianë. Shqipëria ka përqindjen më të ulët të njohjes së kërkesës së tyre për azil që herën e parë, me vetëm 8%, duke kaluar vetëm Gjeorgjinë me një normë prej 5%.

Për vitin 2018, kanë marrë refuzimin përfundimtar 10715 aplikues shqiptarë për azil dhe vetëm 1340 morën një përgjigje pozitive për vendimin e tyre. Megjithatë numri i refuzimeve nuk përkon me numrin e aplikimeve të vitit korrespondent, pasi dhënia e një përgjigje përfundimtare për aplikimin mund të zgjasë me tepër se 12 muaj.

Prej 2011-s janë refuzuar gjithsej 99,710 aplikime të shqiptarëve në një nga vendet e BE-së. Numri më i lartë i refuzimeve ishte në 2016 ku 34 mijë azilkërkues morën përgjigjen përfundimtare se kërkesa e tyre nuk pranohet. Në dy vitet e fundit, 2017 dhe 2018, numri i refuzimeve ka qenë në rënie, sikurse dhe aplikimet (shiko grafikun më poshtë).

Në total në 2018-n aplikuan 19,025 shqiptarë për azil. Në raport me popullsinë, shqiptarët vijojnë të duan të ikin më shumë se kushdo tjetër, edhe se vendet që janë në gjendje lufte.

Monitor ka përpunuar të dhënat për numrin e azilantëve shqiptarë për 1,000 banorë, ku rezulton se në vitin 2018, për çdo 1,000 banorë aplikuan 6.6 persona, duke u renditur të parët në botë për nga numri i aplikimeve për azilantë në raport me popullsinë.

Share: