Astrit Patozi iu pergjigjet akuzave se po i shërben Ramës: E kam takuar vetem dy here ne jeten time

Aktualitet Kryesore Politikë

Sulmet nga PD janë të drejtpërdrejta se “po i shërben Edi Ramës dhe qeverisë”. Por Astrit Patozi e hedh poshtë këtë akuzë. Në emisionin “Opinion” tha se çdokush ka të drejtë të jetë skeptik.

“Në asnjë mënyrë nuk i shërbejmë Edi Ramës. Ju jeni në të drejtën tuaj të jeni skeptik. Edhe historia e politikës shqiptare e tillë ka qenë. Koha është ajo që do e provojë”, –tha Patozi.

Emra të rëndësishëm që ishin pjesë e PD duket se nuk do të jenë në rrugën e tij. “Bindjes Demokratike” nuk do t’i bashkohen as Jozefina Topalli, as Arben Imami apo Ridvan Bode. Edhe Rudina Hajdari nuk do të jetë pjesë e partisë së re. Astrit Patozi tha se kishte biseduar me deputeten për krijimin e partisë së re.

 

“Me zonjën Hajdari kam folur për çështje të tjera dhe për këtë, kam respekt maksimal. Është një lloj talenti. Talent politik do të thotë njeri që merr qëndrime dhe vendime të duhura. Për mua është e tillë. Ne kemi diskutuar për këtë projekt, ajo ishte shumë e prirur dhe e ka thënë në parlament që opozita ta marrë pjesë në zgjedhje. Me PD ajo s’ka lidhje”.

Patozi thotë se është gati të bëjë koalicion me Edi Ramën dhe Lulzim Bashën, por vetëm me një kusht: “Të jenë të gatshëm të ndryshojnë sistemin zgjedhor”.

“Nëse na përputhen synimet në bëjmë koalicion. Unë jam gati të bëj koalicion me Ramën, Lulzim Bashën apo Monikën, mbi bazën e ndryshimit të kodit elektoral”, – theksoi ai.

Sipas tij pavarësisht paralajmërimeve nuk do të ketë një përplasje civile mes palëve.

“E konsideroj vëllavrasëse një përplasje civile, atë dhe që paralajmërojnë që kjo mund të ndodhi e konsideroj terrorizëm politik. Por asgjë nuk ka për të ndodhur. Në rast se Edi Rama dhe çifti Basha-Kryemadhi do të lihen vetëm janë gati t’i vënë flakën Shqipërisë”.

Sa i përket lidhjes me Edi Ramën, ai tha se ka bashkëpunuar dy herë me të.

“Unë me Edi Ramën kam bashkëpunuar me dy raste. Para 3-4 ditësh shkova bëra një check-up. Kam bashkëpunuar dhe njëherë tjetër dhe ishte i vetmi rast kur e kam takuar zotin Rama.

E kam takuar para disa viteve, kemi qenë ulur në një tavolinë. Unë kam pirë kafe të shkurtër dhe ujë pa gaz, ai nuk e di se çfarë ka pirë. Në atë tavolinë ka qenë Sali Berisha, Ilir Meta, Gramoz Ruçi dhe Shpëtim Idrizi” – tha Patozi.

Share: