Ngjarjet e shpeshta në lidhje me grabitjen e vlerave monetare gjatë transportit kanë një kosto jo vetëm për bankat, por për të gjithë ekonominë, tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë për mediat sot.
Ai sqaroi se Banka e Shqipërisë është institucion licencues, dh si e tillë është përgjegjëse për kërkesat minimale që bankat kanë për ruajtjen e ambienteve të tyre, pra në objektet e tyre.
Ai sqaroi se lidhur me transportin e vlerave monetare ka një udhëzim i Ministrisë së Brendshme që rregullon transportin e vlerave monetare në aspektin e sigurisë, rregullore e cilat është forcuar dhe tashmë është në fuqi.
Sejko tha se, ngjarja e fundit ka ndodhur në ambientet e aeroportit dhe jo gjatë transportimit. “Masat e marra, janë ndryshimet rregullative për këtë rregullore që ne e kemi përforcuar dhe sigurisht që përgjegjësia direkte e jona është për të monitoruar dhe mbikëqyrur zbatimin e kërkesave të sigurisë se bankave në ambientet e tyre” tha Guvernatori.
Ai sqaroi se, bankat janë të mirëkapitalizuara me likuiditet dhe janë të afta për të përballuar situata financiare qoftë edhe nga këto humbje apo goditje.
“Ajo që na shqetëson më shumë ne si BSH është përsëritja e këtyre ngjarjeve ndikimi negativ në imazh, ndikim negativ psikologjik dhe sigurisht nëse ngjarje të tilla do të përsëriteshin shumë shpesh dhe ndikimi financiar do të bëhej shumë problematik dhe do të kishte një kosto, jo vetëm për sistemin bankar, por për të gjithë ekonominë shqiptare” tha Sejko.
Në dijeninë time disa banka e kanë pasur GBS ( sistem gjurmimi i thasëve). Por në këtë rast për arsye teknike, zhvendosjet në aeroport, duke kaluar edhe doganën kërkon një koordinim shumë institucional që ngjarje të tilla mos të përsëritën me në të ardhmen pasi jo vetëm që kanë ndikim financiar tek investitorët e huaj, por ndikojnë negativisht dhe në imazhin e vendit.
Disa ditë më parë tre persona me armë hynë në pistën e avionëve të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, rrëmbyen disa thasë me para që do të transferoheshin jashtë me avionë, dhe u larguan pa arritur të kapeshin nga policia.
Transferimi i parave jashtë vendit është një procedurë normale e bankave, të cilat një pjesë të parave të lira nga depozituesit, i vendosin në institucionet financiare jashtë vendit.