Ndërsa prezantoi në Komisionin e Ekonomisë, raportin e vitit 2018 të Bankës së Shqipërisë, guvernatori Gent Sejko iu përgjigj interesit të deputetëve të pranishëm, lidhur me ndikimin që mund të sjellë në ekonomi, kriza politike në vend.
Pyetjes së deputetes Evis Kushi, lidhur me protestat që po zhvillon prej kohësh opozita e bashkuar dhe ndikimin e saj në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, Sejko tha se një situatë destabilizimi do të ndikonte në investimet e huaja direkte.
“Në analizat tona një situatë destabilizimi do të ndikonte në investimet e huaja direkte po ashtu dhe konsumi do të ishte i ndikuar pasi dhe ai është sensitiv. Praktikisht nga vrojtimet që kemi bërë, ne nuk kemi një perceptim thellësisht negativ. Situata politike është destabilizuar në shumë vende të eurozonës.” – u shpreh Guverantori Sejko.