Gjatë vitit 2018, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) u shërbeu 2,947,172 pasagjerëve duke regjistruar në këtë mënyrë dhe njëherë një performancë të shkëlqyer të kompanisë. Aeroporti gjithashtu ka shënuar 25,426 lëvizje të trafikut ajror (ATM) dhe ka përpunuar 2,249 tonë mallra. Duke i krahasuar me vitin e kaluar këto shifra tregojnë një rritje prej 12 përqind në pasagjerë dhe një rritje prej 3 përqind të ATM-ve, ndërkohë që transporti i mallrave nuk ka ndryshuar me vitin 2017.
Vitin e kaluar linjat ajrore që kanë shënuar fluksin më të madh të pasagjerëve janë: Blue Panorama (21%), Ernest Airline (12%), Albawings (11%), Alitalia (9%) dhe Turkish Airlines (6%).
Sot në TIA operojnë 15 linja ajrore të cilat e lidhin kryeqytetin me 50 destinacione të ndryshme.
TIA është e përkushtuar në punën e saj për ofrimin e standardeve më të larta kundrejt pasagjerëve, linjave ajrore dhe klientëve. Çdo ditë Aeroporti punon për të ofruar një shërbim gjithnjë e më cilësor, dhe një mjedis të qetë dhe të sigurtë për pasagjerët dhe klientët e tij. Kompania ofron gjithashtu një mjedis pune të standardeve të larta për linjat ajrore që operojnë në të.