Sipas Ballës, ky investim është një premtim i mbajtur, pasi tashmë qytetarët e Librazhdit do të mund të marrin një shërbim më të mirë në kohë dhe cilësi.
“Unë gjej rastin ta falenderoj këtë iniciativë të ndërmarrë pas porosisë që dha Kryeministri, që Zyrat e Regjistrimit të Pasurive kudo në vend, të jenë zyra shërbimi siç është kjo këtu ku janë të gjitha kushtet, eleminohen radhët dhe njeriu që vjen merr përgjigje ”, deklaroi Balla.
Nga ana e tij, drejtori i Përgjithshëm i Hipotekave, Valdrin Pjetri ndau me banorët lajmin e mirë se brenda datës 15 shkurt përfundon procesi i regjistrimit për çdo leje legalizimi në Bashkinë Librazhd.
“Për Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Librazhd në bazë të planit të punës të miratuar nga zyra qendrore dhe të sjellë nga Drejtoria Rajonale këtu në Librazhd, në datë 15 shkurt përfundon procesi i regjistrimit të çdo leje legalizimi në Bashkinë Librazhd.
Më në fund qytetarët, të cilët kanë vite që presin për të marrë dokumentin e pronësisë për lejen e legalizimit, me datë 15 shkurt do të regjistrohet leja e fundit e legalizimit në Bashkinë Librazhd. Ky është një lajm i mirë që unë dua ta ndaj sot me ju”, u shpreh Pjetri.