Sa herë kemi dëgjuar të përmendet fjala besim? Ai nuk mund të arrihet dot, nëse nuk kalon përmes guximit. Pra, nevojitet guximi për të ndërtuar besimin. Duke pasur guxim, besim, ti mund të arrish të kesh mundësi të shumta për të zgjedhur dhe do të zgjedhësh gjërat e duhura.
Unë kam pasur probleme me shkrimin dhe leximin. Nuk mund t’i bëja dot. E kisha të vështirë të mësoja shkronjat dhe akoma më të vështirë t’i shkruaja apo t’i lexoja vetë ato. Kam lindur në një familje ku të gjithë ishin lexues të mirë. Prindërit dhe tri motrat e mia lexonin çdo natë, ndërkohë mami im kalonte mjaft kohë me mua duke më nxitur të lexoja, sepse sipas saj vetëm ashtu kisha për të mësuar më shpejt. Por nuk po funksiononte asgjë, sepse unë nuk e kisha kuptuar vlerën e edukimit. Kur unë e kuptova atë, fillova të zhvilloja kurajo brenda vetes. Kjo kurajo më çoi në besimin në vete dhe të dyja bashkë më sollën në jetë gjithë mundësitë që të jep edukimi.
Kaluan vite dhe të tri çelësat e suksesit më ndihmuan që unë të ecja përpara në jetë. Më pranuan në Harvard. E besoni dot apo jo? Unë që dikur nuk dija të shkruaja e të lexoja, do të studioja në Harvard. Në momentin që mora një lajm të tillë, telefonova mamin dhe i thashë: “Ma, më pranuan në Harvard”. “Vërtet? BRAVOOO!” dëgjova mamanë time të bërtiste e lumtur në anën tjetër të telefonit.
Unë jam një produkt i dhunës në familje. 10 vjet me dhunë në familje. Ndërkohë që përballesha me të, u diplomova në Harvard në fushën e biznesit. U bëra mjaft e njohur në karrierën time. Pori shin 10 vjet me dhunë në familje. Kur ju më shihni tani, shihni tek unë një femër të zgjuar, të suksesshme, të fortë, por unë kam qenë 10 vjet e dhunuar. Dua t’ju them diçka pikërisht nga gjithë rruga që kam ndjekur në jetë. Unë nuk e kisha guximin të largohesha nga ajo familje e shkatërruar. Vetëm kur unë u bëra me fëmijë, arrita të kuptoja vërtet vlerën e jetës. E kuptova se nëse nuk largohesha nga ajo shtëpi, edhe fëmija im do të kishte të njëjtin fat si unë. Do të dhunohej fizikisht.
Ishte një vendim i vështirë, por që nga momenti që e mora atë vendim, gjithçka m’u duk tepër e lehtë. Guximi më bëri mua të besoja dhe të largohesha nga ajo shtëpi, dhe të dy më ndihmuan të shihja mundësi të reja në jetë.
Mendoni për çdo herë që dëgjoni dikë të përmendë fjalën frikë. Mendo për çdo herë që ti e ke përdorur fjalën frikë. Tani mendo pak për gjithë mundësitë që ke humbur, nëse do të guxoje. Mendo për gjithë telefonatat që do të bëje, por nuk i ke bërë nga frika. Mendo për gjithë bisedat që do të bëje, por nuk i bëre nga frika. Tani mendo pak se ku do ta gjesh ti guximin nga tani e tutje për të gjërat që ke frikë, përveçse nga vetë frika jote? Guxo duke dalë mbi frikërat e tua.
Nëse unë jam sot këtu ku jam, është edhe sepse jam larguar nga disa njerëz duke i thënë: “Ti vërtet do të më kesh pranë, por unë nuk mund të të pres ty. Ti po ecën shumë ngadalë drejt suksesit”. Shqiponjat fluturojnë të vetme. Ndaj, gjeje guximin për të mbërritur atje ku do të mbërrish.
Gloria Mayfield Banks
/bota.al