Majlinda Bregu në Këshillin Rajonal të BE: Të ndalet ngacmimi i grave në rrjetet sociale

Aktualitet Kryesore Politikë Sociale

Numri më i madh i ngacmimeve ndaj grave në internet ndodh në rrjetet sociale dhe qeveritë duhet të marrin seriozisht në konsideratë kuadrin ligjor për ndalimin e ngacmimit përmes internetit, tha sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunim Rajonal (RCC), Majlinda Bregu.

“Numri më i madh i ngacmimeve ndaj grave në internet po ndodh në rrjetet sociale dhe këto rrjete përdoren çdo ditë nga 45 për qind e qytetarëve të Evropës Juglindore. Qeveritë duhet të marrin seriozisht kuadrin ligjor për të ndaluar ngacmimet në internet pa kompromentuar lirinë e fjalës”, tha Bregu.

Përmes një komunikate ky Këshill kujton se Komisioni Evropian kohët e fundit nisi një fushatë të quajtur “Respekti digjital për ato” me qëllim të ngritjes së vetëdijes për ngacmimin ndaj grave në internet dhe promovimin e praktikave më të mira në luftimin e këtij problemi.

Me këtë rast, Komisionerja Evropian për Drejtësi e BE-së, Vera Jourova, pati thënë se BE-ja dëshiron që “çdo grua të ketë lirinë e fjalës në internet pa asnjë frikë”.

“Ne nuk mund të qëndrojmë duarlidhur dhe të inkurajojmë individë që në mënyrë frikacake ngacmojnë gra dhe vajza në internet”, pati theksuar ajo.

Këshilli për Bashkëpunim Rajonal shpreh gatishmërinë që të ndihmojë qeveritë në rajon për të adresuar çështjen e ngacmimeve ndaj grave në internet.

“Dhuna në internet mund të shkaktojë vështirësi psikologjike, seksuale dhe ekonomike. Mund të heshtë gratë dhe zvogëlojë praninë e tyre në internet”, thuhet në komunikatën e Këshillit Rajonal për Bashkëpunim.

Këshilli, si pasardhës i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, ka si qëllim ndihmën në rritjen e bashkëpunimit mes vendeve të Evropës Juglindore. Themelimi i tij u bë në vitin 2018./REL

Share: