“Do ta rindërtojmë edhe më të bukur, brenda 5 viteve”, u është drejtuar i emocionuar francezëve Emmanuel Macron.
Kanë qenë të shumta donacionet nga kompani të mëdha, që e kanë çuar në mbi 800 milionë euro shumën e mbledhur për të ringritur simbolin francez. Zjarri i rënë pasditen e së hënës në një nga simbolet e kulturës botërore, në Katedralen e Notre Dame de Paris, punimet e së cilës kanë nisur që në fillim të shek XII, tronditën gjithë botën.
Ndoshta ishte një shkëndijë saldimi, një pakujdesi gjatë punimeve, që çoi në rrënimin e një pjese të mirë të ndërtesës, kryesisht asaj në materiale prej druri. U deshën orë të tëra lufte me flakët, që situata të vihej nën kontroll. Tanimë kanë nisur hetimet, por edhe një plan pune për ringritjen.
“Pas kohës së provës, vjen reflektimi, pastaj aksioni. Të mos i ngatërrojmë. Të mos rrëmbehemi nga nxitimi. E njoh padurimin e rremë për të reaguar sa më shpejt”, u shpreh dje në mbrëmje Macron. Sipas tij, duhet bërë më e mira në një projekt kombëtar, human dhe thellësisht francez. “Ndaj me ju dhimbjen dhe shpresën. Kemi shumë për të bërë. Do të veprojmë dhe do t’ia dalim”, tha kreu i shtetit francez, Emmanuel Macron.
DËMET
Flakët që ranë mbi Katedralen e Parisit u shuan në agim rreth orës 05:00 të mëngjesit. Rreth 400 zjarrfikës, pas 15 orësh kanë mundur të shuajnë flakët, duke e marrë situatën nën kontroll. Maja dhe çatia u shkatërruan, ndërsa struktura e Katedrales “mbahet mirë”, siç është shprehur për mediat zëvendëssekretari i Ministrisë së Brendshme, Laurent Nunez, pasi u bënë kontrollet e para. “Në përgjithësi struktura mbahet mirë, por janë identifikuar disa dëmtime në disa pjesë, që duheshin siguruar më mirë”. Duke cituar rrëfimet e zjarrfikësve, Nunez u shpreh se vendimtare në këtë shpëtim ka qenë ndërhyrja e 20 pompierëve, të cilët, duke rrezikuar jetën hynë në të dyja kullat e Katedrales, për t’u përballur me flakët nga brenda. Ndërkaq, qindra zjarrfikës vijuan edhe më pas punën për të “ftohur” Katedralen edhe pas shuarjes së zjarrit.
SHPËTIMI I VEPRAVE TË ARTIT
Një nga misionet më të rëndësishme të zjarrfikësve ishte shpëtimi i të gjitha veprave të artit, edhe të atyre që ruheshin në thesarin e Katedrales, të cilat përgjatë natës u transferuan në komunën e Parisit. Janë dërguar në Muzeun e Luvrit kurora e shenjtë me gjemba, ajo që sipas traditës katolike, ushtarët romakë i vendosën mbi krye Krishtit për ta tallur pak përpara kryqëzimit, një copë kryqi dhe një gozhdë. “Kullat dhe veprat e artit janë siguruar, në veçanti ‘thesari’, falë kurajës së zjarrfikësve të Parisit. Kurora me gjemba, Tunika e Shën Luigjit janë nën mbrojtje në bashkinë e kryeqytetit. Organoja është dëmtuar dukshëm, ndërsa pikturat e mëdha, teorikisht kanë pësuar dëme për shkak të ujit. Duhet të restaurohen”.
HETIMET
Kanë nisur tashmë hetimet nga Prokuroria e Parisit për “dëmtim nga neglizhenca”, duke përjashtuar pistën kriminale, aktin vandalist apo atë të terrorizmit. “Asgjë nuk të çon në drejtimin e një akti të vullnetshëm”, është shprehur për mediat prokurori i Parisit, Rémy Heitz. Ai shpjegoi se në restaurimin e ndërtesës ishin përfshirë 5 kompani dhe që në orët e para të mëngjesit ka nisur marrja në pyetje e nëpunësve të këtyre shoqërive. Dje në kantier ndodheshin 15 punonjës, të cilët po merren në pyetje. Një nga hipotezat, mbi të cilat po punohet, është ajo e zjarrit të shkaktuar gjatë saldimeve. Mendohet se zjarri ka ardhur nga çatia e Notre Dame, gjatë punimeve që po kryheshin aty. Por hetimet do të jenë të gjata dhe komplekse.