Ne, ‘kriminelët’ e Holandës?!

Analizë Opinion

Nga Ben Andoni

Ashtu si pritej, parlamenti holandez ka votuar pro propozimit për kthimin e vizave me Shqipërinë. Arsyeja: kriminaliteti i shtuar, një nga sfidat kryesore për Hapjen e Negociatave, lënë si detyrë një vit më parë. A thua të jenë shqiptarët e Shqipërisë shqetësimi më i madh për shtimin e kriminalitetit në një vend, që ka të liberalizuar shumë gjëra për të cilat bota e errët përfiton? Mbase. Le të mos bëjmë hipokritin, shqiptarët nuk janë vërtetë shenjtorë apo qenie të kulluar. Jemi shpesh në krye të listave për të keqen në Evropë, por edhe për ikjen e braktisjen e vendit. Ne nuk duam të rrimë në vendin tonë, ne nuk duam shpesh askënd. Dhe, gjendja e keqe ekonomike dhe mos aklimatizimi me Demokracinë po i jep pasojat e veta. Shqiptarët nuk gjejnë dot strehë dhe s’bëjnë dot rregulla loje në vendin e tyre. Ne e kemi të pamundur të ndërtojmë një shtet si duhet, t’i ngremë mirëqenien si ballkanasit e tjerë dhe ta adhurojmë, përveçse kur jemi në stadium dhe në mitingjet e partive. Ne, ende, e kemi për krenari dhe adhurojmë cubin që dhunon pronën e përgjithshme. Ne, kënaqemi me fatkeqësinë tonë. Ne…Ne…

Kështu, ende pa u tharë në letër verdikti i inincuar nga 5 parti politike në Holandë që kërkuan në emër të grupit votimin për rikthimin e vizave të përkohshme për Shqipërinë, tek ne kinse politikanët ishin të hidhëruar sepse arsyen e kemi: Edi Rama është shkaktar i të keqes dhe duhet hequr një orë e më parë. Që ky i fundit është një nga njerëzit që e ka nxirë imazhin e vendit me propagandën e fryrë, me gjendjen ku po ikin të gjithë nuk ka as edhe një dyshim, as ajo që ka bërë zoti Berisha me katrahurën ku e solli vendin tonë. Por, një gjë është realisht shqetësuese: pse kënaqemi kaq shumë dhe pse Shqipëria e vogël e tremb kaq shumë Evropën?! Të mendosh, brenda kufijve të saj jeton një komunitet jo i vogël njerëzish që duan përparimin, integrimin evropian dhe janë investuar me të gjitha mundësitë për vendin e tyre.

Partitë holandeze VVD, CDA, PVV, SP, CU arritën t’i bëjnë bashkë 92 deputetë, nga 150, duke votuar kështu me shumicë të plotë votash kërkesën për kthimin e vizave për Shqipërinë, por veçse vendosjen e vizave nga vendet e hapësirës Schengen nuk e përcakton thjesht Parlamenti i Holandës, por Bashkimi Europian, të cilit i mbetet të thotë fjalën e fundit.

Është radha tani e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, i përbërë nga Ministra për Çështjet e Jashtme dhe Evropiane nga vendet anëtare të BE-së dhe Komisioni Evropian, që në takimin e radhës në qershor të vitit 2019 të vendosë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë, pas shtyrjes me afat të vendimit për progresin e arritur nga të dy vendet më 26 qershor 2018.

Duket se pas këtij vendimi të parlamentit holandez do të jetë e vështirë për të gjetur frymën dhe hapin e duhur, por Shqipëria ende beson se “Ne” nuk mund të identifikohemi me ata pak që identifikohen si shqiptarët kriminelë. Për të ardhur keq, është fakti se: sot shqiptarë në masë i thonë vetes me krenari ata që mbajnë me nder pasaportën e Republikës sonë, por edhe ata pak që e përdhosin atë, ata që janë me origjinë shqiptare dhe mbajnë pasaportat fqinje, por edhe lloj-lloj sorrollopi. Do jetë e vështirë të bindet paskëtaj Franca, Holanda dhe Danimarka, po për një gjë jemi të bindur: Shqipëria e meriton t’i hapë negociatat, ashtu si e meriton të fillojë të angazhohet si vendet e tjera simotra të kontinentit për të ardhmen. Ne, “kriminelët” për Holandën jemi aspak më të këqij se të gjithë “kriminelët” në vendet tuaja, që e kanë njohur demokracinë dekada më parë. (Javanews)

 

Share: