Nga Juan Pablo Sanchez
Arritjet e Aleksandrit të Madh në shekullin IV P.E.S ishin mbresëlënëse. Si djali i një mbreti të fuqishëm dhe një mbretëreshe ambicioze, lindi në vitin 356 P.E.S. Ai studioi nën drejtimin e filozofit të njohur grek Aristotelit deri në moshën 16 vjeçare, dhe u bë mbret i Maqedonisë në moshën 20 vjeçare.
Gjatë sundimit të tij 13-vjeçar, Aleksandri bashkoi Greqinë e lashtë, pushtoi Persinë, dhe krijoi një perandori që shtrihej nga Evropa në Azi. Ai e imagjinonte veten pasardhës të Akilit, dhe si djali i Zeusit. Ndërsa fuqia e Aleksandrit u rrit, po kështu ndodhi edhe me frikën e tij për ta humbur atë që kishte arritur.
Herë megalomaniakal dhe herë paranojak, ai nisi të shihte kudo rreziqe, duke përfshirë edhe personat më afër tij. Ai besonte se ata e kishin zili, dhe se e donin pushtetin e tij. Ai besonte se ata donin që ai të vdiste. Fillimi i shkëlqyer i karrierës së Aleksandrit, i solli atij shumë besnikë, shokë armësh që e ndihmuan në ngjitjen e tij të shpejtë drejt lavdisë.
Në vitin 334 P.E.S, forcat e Aleksandrit përparuan pa pengesa në gjithë Anadollin (Turqia e sotme) dhe pushtuan Perandorinë Akamane (Persiane). Pasi hodhi poshtë një ofertë për një armëpushim nga Dari III i Persisë, Aleksandri hyri në Egjiptin e kontrolluar nga persët në vitin 332 P.E.S.
Ai u prit atje si një çlirimtar nga sunduesit persianë, dhe themeloi Aleksandrinë, qytetin më të famshëm që do të merrte emrin e tij. Në udhëtimin e tij thellë nëpër shkretëtirë pranë kufirit të sotëm me Libinë, Aleksandri pati një vegim hyjnor, që vetëm sa e ushqeu ndjenjën e tij të plotfuqishmërisë.
Mbreti i ri dhe njerëzit e tij përshkruan shkretëtirën për në Oazin Siua, shtëpia e orakullit Amun – i lidhur nga grekët me Zeusin- priftërinjtë e të cilit e shpallën atë Djalin e Zotit. Pasi e mposhti Darin në Gaugamela, Aleksandri u mirëprit ngrohtë në Babiloni nga Mazeusi, tirani persian lokal.
Ndonëse Aleksandri e konsideroi Babiloninë si selinë e qeverisë së tij të re në Azi, ai e lejoi Mazeusin të vazhdonte në pozitën e tij, me disa fuqi të kufizuara. Ky vendim ishte thelbësor për forcimin e pushtetin të Aleksandrit, por disa prej mbështetësve të tij maqedonas u inatosën me Mazeusin, i cili kishte luftuar kundër tyre në Betejën e Gaugamelës.
Ai incident shënoi lindjen e një prirje të vazhdueshme:Aleksandri ndërtoi një oborr paralel me aziatikë, respektonte ritualet vendase, dhe madje u martua me një princeshë baktriane, Roksanën. Shoqëruesit e tij maqedonas të moshuar, që kishin luftuar për babain e Aleksandrit, Filipin II, filluan të distancohen prej këtyre sjelljeve. Madje nisën të përgatiten komplote për vrasjen e mbretit.
Parmenidi kishte qenë krahu i djathtë i babait të Aleksandrit, dhe më pas shërbeu si zv/komandant në ushtrinë e Aleksandrit. Ai gëzonte lidhje të ngushta me oborrin dhe ushtrinë. Tashmë në të 70-tat, Parmenidi ai kishte disa djem që shërbenin nën urdhrat e Aleksandrit. Më i madhi prej tyre, Filotasi, ishte ndoshta më i shquari.
Aleksandri e kishte zgjedhur atë të komandonte kalorësinë, një trupë elite e formuar tërësisht nga pjesëtarët e fisnikërisë maqedonase. Filotasi kishte reputacionin e një trimi, punëtori të madh, si dhe atë të një miku bujar dhe besnik. Por disa mendonin se ai ishte arrogant, sillej në mënyrë të dyshimtë, dhe qe ndoshta ziliqar për arritjet e Aleksandrit.
Filotasi nuk ishte gjithnjë dakord me Aleksandrin, madje ndonjëherë qe një kritik i zëshëm, veçanërisht mbi mënyrën se si mbreti ishte adhuruar si një perëndi në Egjipt. Disa nga gjeneralët e Aleksandrit, të udhëhequr nga Kraterusi, dëgjuan zëra se Filotasi mund të komplotonte kundër Aleksandrit.
Ata urdhëruan spiunët e tyre ta mbanin nën vëzhgim, por dëshmia e vetme e tradhtisë së tij u gjet nga një prostitutë greke. Ajo u tha atyre se Filotasi i kishte thënë në konfidencë, se si ai dhe Parmenidi ishin përgjegjës për fitoret e Aleksandrit.
Kraterusi ia raportoi këtë Aleksandrit, i cili nuk i dha shumë peshë një bisede krevati. Ai i besonte Filotasit, dhe nuk donte të konfliktohej me Parmenidin, të cilit i kishte besuar prej një kohe të gjatë. Në vitin 330, zërat zbuluan një tjetër komplot të Filotasit.
Ndërsa dimëronte me ushtrinë e tij në Frada (Farah-un e sotëm në Afganistan), Aleksandri mësoi se një njeri me emrin Dimnus, kishte planifikuar ta vriste. Një informator, i kishte treguar dy here Filotasit për komplotin, por ky nuk kishte bërë asgjë. Së fundmi, si shkoi dhe u rrëfye direkt tek Aleksandri.
Para se të arrestohej, Dimnusi vrau veten, duke lënë shumë mistere të pazgjidhura. Pasi u dyshua për mikun e tij, Aleksandri i bëri thirrje Filotasit të shpjegohej se pse nuk e kishte raportuar komplotin tek udhëheqësi i tij. Ky i fundit mohoi të ishte pjesë e një komploti për të vrarë mbretit.
Në fund Filotasi ra dakord që të ishte ushtria, ajo që do të përcaktonte fatin e tij. Pas dëgjimit të të gjitha provave ushtria e shpalli Filotasin fajtor për tradhëti, dhe e dënoi atë me vdekje. Rrethi i brendshëm i Aleksandrit, ishte shumë i shqetësuar nga ambiciet dhe xhelozitë, për ta lënë çështjen të përfundonte vetëm me vdekjen e Filotasit.
Hefesti, miku më i ngushtë i Aleksandrit, propozoi që ta torturonin të dënuarin përpara se ta ekzekutonin, me qëllim që të zbulonin se kush tjetër ishte i përfshirë në komplot. Pasi u torturua gjithë natën, Filotasi u dorëzua dhe u rrëfye, dhe të nesërmen u qëllua me gurë për vdekje.
Nga ai moment, radhët e ushtrisë thjesht u spastruan, duke mos lënë askënd të dyshuar për mungesë besnikërie. Por pas ekzekutimit të Filotasit, Aleksandri filloi atë që disa studiues besojnë se është vepra e tij më e errët.
Aleksandri, ndoshta paranojak, besonte se nuk kishte asnjë mënyrë që Filotasi të mund të kishte komplotuar kundër tij, pa dijeninë e babait të tij, Parmenidit. Ai gjithashtu e dinte se ky i fundit mund të vepronte kundër tij, për t’u hakmarrë me vdekjen e djalit të tij. Parmenidi, ishte ngarkuar me detyrën e administrimit të shumicës së pasurisë së perandorisë, dhe linjave strategjike të furnizimit.
Disa historian, madje kanë sugjeruar se komploti kundër Filotasit, ishte gatuar si një justifikim për të hequr babain e tij nga pushteti. Parmenidi ndodhej në Ekbatana, një ish-rezidencë verore e mbretërve persianë. Burimet raportojnë se para vrasjes së tij, ai nuk dinte asgjë për fatin e tmerrshëm që kishte pasur djali i tij. Ai u vra nga një korrier i dërguar nga Aleksandri.
Mbreti dërgoi ndërkohë një kontigjent të vogël ushtarësh në Ekbatana, për të shtypur çdo rebelim që mund të pasojë midis trupave të Parmenidit. Por vdekja e 2 prej këshilltarëve më të besuar të tij nuk e qetësoi Aleksandrin, karakteri i të cilit vazhdoi të degradojë në vitet e ardhshme.
Ai vazhdoi të përvetësonte, ato që maqedonasit i panë si sjellje persiane. Festat e Aleksandrit, u karakterizuan nga shthurja e madhe morale. Banketi më famëkeq u zhvillua në Marakand, ku plasi nje debat mes tij dhe Klitit, një nga gjeneralët e tij më besnikë, mbi pushtimin apo jo të Indisë.
I inatosur nga akuzat e Klitit, Aleksandri e vrau para të gjithëve me një shtizë. Pas kësaj, ai u shpesh shumë i keqardhur. Veprimet e Aleksandrit, bënë shumë pak për të shuar kundërshtitë e brendshme midis pasuesve të tij, ndaj u organizuan komplote të tjera.
Në vitin 326 P.E.S, pasi kishin arritur pranë Indisë në lumin Hifasis (Beas), njerëzit e Aleksandrit u rebeluan. Mbreti u detyrua të tërhiqej në perëndim, dhe nga ai moment mbretërimi i tij nisi një rënie të pandalshme. Tre vjet më vonë, Aleksandri vdiq nga ethet në Babiloni në moshën 32 vjeçare.
Marrë me shkurtime nga National Geographic