Nga Luan Rama
Ju keni botuar disa libra per personalitete politike dhe historike të Francës si « Fransua Miteran – romantizmi i pushtetit», «Gjenerali De Gol, një legjendë e gjallë». Çfarë ju shtyu t’u drejtoheni këtyre dy politikanëve të mëdhenj?
Në historinë e Francës së shekullit XX, dy personalitete politike kanë lënë gjurmë të mëdha: De Gaulle dhe Mitterand. Në fillim shkrova një libër për Mitterand në mesin e viteve 90-të dhe kjo sepse kisha impresione të drejtpërdrejta mbi të, duke qenë në Ambasadën Shqiptare në Paris, (takimet në Elisée, vizitat presidenciale, etj, por dhe vitet kur ai e la presidencën dhe banonte jo larg apartamentit ku banoja dhe unë, ku shpesh e shikoja të shëtiste në Champs de Mars, apo të hynte në dyqanet e verës në Rue Clair). Në fakt, me politikën dhe inteligjencën e tij, si një europian i madh, ai diti ta ngrejë Francën në skenën botërore si një protagonist i barabartë me Amerikën. Veç kësaj dhe personazhi ishte shumë interesant: socialist, erudit dhe njëherësh mistik me pamje monarku. Por pastaj e pashë të udhës të botoja dhe një libër për gjeneralin De Gaulle. Sigurisht disa biografi ekzistonin, por unë doja ta shikoja atë në prizmin shqiptar, lidhjet me Shqipërinë që nga fjalimi i tij historik i Londrës, ku disa shqiptarë iu përgjigjën thirrjes së tij. Interesante ishte se Enver Hoxha, një frankofil, e shikonte me simpati figurën e gjeneralit dhe kjo sepse ai ishte kundër diktatit amerikan. Gjenerali e njësonte veten me Francën dhe ai iu kushtua Francës.
Dhe tani një pyetje që lidhet me politikën dhe diplomacinë. Si ish-ambasador i Shqipërisë në Francë dhe autor i librit «Nën hijen e eklipsit» mbi krizën e Kosovës dhe diplomacinë euro -amerikane», a mendoni se akademiku Qosja ka të drejtë kur thotë se «Nuk kemi ende një politikë kombëtare për çështjen shqiptare, e cila ndahet në pesë politika të vogla, një në Kosovë, një në Maqedoni, një në Mal të Zi, një në Kosovën Lindore (në Preshevë, Bujanovc dhe në Medvegjë) e një në Shqiperi?
Që nuk ka pasur një diplomaci e politikë të përbashkët, kjo është e qartë. Madje edhe sot nuk mund të themi se ka. Të kuptohemi: nuk është fjala për krijimin e një Shqipërie me kufij të tjerë, duke përfshirë së bashku dhe shqiptarët jashtë kufijve aktualë. Një nacionalizëm i tillë është jashtë kohës dhe rrjedhës bashkëkohore, pasi shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë, kanë hyrë në proceset e integrimit europian dhe të eliminimit të ardhshëm të kufijve, pra të hapjes, të ripajtimit dhe të krijimit të një fryme bashkëpunimi me interesa të përbashkëta. Sot të rëndësishme janë vlera të tjera si E Drejta e Njeriut, Demokracia, Shteti i së Drejtës dhe ruajtja e Identitetit. Pra të mos na mbetet koka vetëm nga e kaluara, por të shohim dhe nga e ardhmja, kontributi që duhet të japim në modernitetin e sotëm europian.
Në vitet 2007 dhe 2009, shtëpia botuese «Globus R» ka botuar librin tuaj «Në udhëkryqet e kohës. Korrespondenca Paris–Tiranë». Cila është linja kryesore e kësaj korrespondence që bën Luan Rama nga Parisi në Tiranë?
Janë përmbledhje të shkrimeve të ndryshme që kam botuar në disa organe të shtypit shqiptar gjatë këtyre viteve, për çështje të kulturës, historisë, dialogut të qytetërimeve dhe besimeve, personazheve të ndryshme artistike, etj. Pra një korrespondencë nga një publiçist shqiptar në Paris, se si e shikon ai Shqipërinë, Francën, Europën, historinë dhe aktualitetin e sotëm.
Ju shkruani dhe skenare filmash dokumentarë e artistik. Ç’plane keni për të ardhmen në këtë drejtim? Për profile artistësh, a e vlerësoni si më të mirin dokumentarin tuaj për piktorin Omer Kaleshi?
Idea e shkrimit të skenarëve, për një kohë të gjatë ka fjetur tek unë. Herë-herë është zgjuar, si dhe me dokumentarin për piktorin ballkanas, Omer Kaleshi. Do kisha dëshirë të realizoja një skenar për arkeologun francez Léon Rey dhe Apolloninë, e po kështu të shkruaja një skenar filmi artistik, por kjo do përkushtim dhe kohë, por ja që koha është bërë tepër e kufizuar.
Ju jepni leksione në një nga institutet më të vjetra të Parisit, siç është «Inalco», (Instituti i Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale). Në mos gabohem, leksionet tuaja lidhen me historinë e qytetërimeve ballkanike dhe historinë e sotme të Shqipërisë. Sipas jush, cila është «Thembra ë Akilit» në Ballkan dhe si mund të gjejnë zgjidhje problemet e gadishullit?
Në Inalco jap leksione të gjeopolitikës shqiptare, parë në vështrimin e Ballkanit, si dhe Historinë e Shqipërisë. Po kështu, për studentët në master, kam lëndën “Midis traditës dhe modernitetit”, çka është më tepër antropologji kulturore, sociologji, dhe që ka të bëjë me evolucionin e shoqërisë shqiptare nga tradita drejt modernitetit të sotëm. Kuptohet që Ballkani ka mbetur ende problematik në gjeopolitikën europiane e botërore dhe ja pse integrimi më i shpejtë i vendeve ballkanike do të sillte në paqësimin e këtij gadishulli, që me shekuj ka mbetur në qerthullin e luftërave, urrejtjeve, përgjakjeve dhe nacionalizmave.
INALCO, në bashkëpunim me «Shtëpinë europiane» në Paris, organizuan një veprimtari të veçantë për veprën e Z.Ylljet Aliçka. Aty mori pjesë dhe Anne Houtman, kryetare e përfaqësisë franceze në Komisionin Europian dhe Profesore e Merituar Odile Daniel, përkthyese e romanit të Aliçkajt «Një rrëfenjë me ndërkombëtarë», krahas mjaft krijuesve shqiptarë që ndodhen në Paris. A është e mundur që të tilla veprimtari, ndoshta jo të këtij formati, të zhvillohen dhe për krijues të tjerë shqiptarë që kanë rezidencë në Paris?
Sigurisht që është e mundur dhe duhet luftuar që të bëhen, për të afirmuar dhe bërë të njohur vlerat e kulturës dhe trashëgimisë sonë. Meqë Shqipëria mbetet ende jo shumë e njohur, apo njihet keq, d.m.th. vetëm në aspekte negative, komponenti kulturë duhet të përbëjë një nga shtyllat e diplomacisë sonë, por kjo gjithnjë është nënvleftësuar, duke menduar apo deklaruar me bujë se po bëjmë një diplomaci të madhe, aktive, agresive e të tjera si këto, që janë vetëm fjalë.
Tek «Parisi letrar» ju nënvizoni se një antropolog amerikan mendon se «industria kulturore” është mbizotëruar nga ajo anglo-saksone, sidomos ajo kinematografike, televizive, dhe e internetit. Po ju e kundërshtoni atë, duke theksuar se «nuk mund të thuash se ka vdekur kultura franceze, pasi ajo është frymëzuese për artistët e mbarë botës. Ku mbështeteni në këtë përfundim?
Prurja e kulturës dhe artit francez ka qenë aq e madhe, që në kohën e Rilindjes Europiane dhe të kohës së “Lumière”-ve, saqë ajo vazhdon të japë dritën e vet edhe sot. Në fillim të shekullit XX, por edhe pas Luftës së Dytë Botërore, artistë nga e gjithë bota vinin të pikëtakonin Francën, atdheun dhe vendin e artit e të lirisë. Dhe në fundin e shekullit XX, Mitterand luftoi për një Francë të Kulturës, për një Europë të Kulturës. Kultura nuk është vetëm kinematografi apo teknologjitë e reja të komunikimit, ku anglo-saksonët janë në pararojë, por është dhe trashëgimi kulturore, krijimtari, etj.
Dritarja e shtëpise suaj bie përballë hotelit të vjetër «Mistral» ku në vitet e Luftës së Dytë Botërore jetonte Jean- Paul Sartre (Zhan-Pol Sartre). Si u bën të ndiheni kjo? Cilat shtëpi të tjera të shkrimtarëve të mëdhenj francez, që ndërtuan « katedrale letrare keni parë »? Ç’mesazhe e emocione keni marrë prej tyre?
Kur isha ambasador, dritarja e shtëpisë time binte përballë dritareve të hotelit ku gjatë luftës banonte Sartre dhe Beauvoir. Njëqind metra më tutje është varri i tyre. Dhe kjo më shtyu të përshkruaja në librin « Parisi Letrar» jetën, dashurinë dhe aventurën e tyre letrare e filozofike. Shtëpitë e shkrimtarëve dhe artistëve më tërheqin shumë dhe më ngjallin impresione të veçanta dhe shpesh përpiqem të imagjinoj jetën e tyre në ato dhoma ku kanë jetuar Balzac, Hugo, Flobert, etj. E sa herë shkel në to, mendoj se pse nuk i kthejmë dhe ne shtëpitë e letrarëve dhe artistëve tanë të mëdhenj në shtëpi muze. Trashëgimia është thelbësore në fushën identitare.