Karriera e beftë e Esat Pashë Toptanit

Histori

Nga Ilir Ikonomi

Në vitin 1893, ende pa i mbushur të tridhjetat, Esati u emërua komandant i Regjimentit të Xhandarmërisë në Vilajetin e Janinës, hera e parë që ai merrte një ofiq zyrtar. Në atë kohë, shpërblime të tilla u jepeshin njerëzve të pasur dhe me ndikim në popull. Ishte politika e sulltan Abdyl Hamitit të bënte për vete të parët e vendit, për ta patur më të lehtë kontrollin mbi popullatën.

Esati nuk kishte patur kurrfarë përvoje në ushtri. Kaluan vetëm pak vjet që ai të vihej në provë si ushtarak dhe kjo ndodhi në kohën e luftës turko-greke. Në prill 1897, trupat e gjeneral Hivzi pashës që luftonin kundër ushtrisë greke, humbën pranë vendit të quajtur Gryka e Pesë Puseve (Pente Pigadia). Shqiptarët që luftonin në formacionet turke, shumica adoleshentë gegë me kokë të rruar dhe me xhufkën që u dilte jashtë plisit, ishin luftëtarë të shkëlqyer, por ushtarë të këqij që nuk shquheshin për disiplinë. Mes tyre u përhap pakënaqësia dhe mosbesimi ndaj komandës. Katër batalione me vullnetarë shqiptarë u rebeluan dhe kjo bëri që i tërë divizioni të tërhiqej drejt Janinës në mënyrë të çrregullt. Si komandant i xhandarmërisë së Janinës, Esati ndihmoi me njerëzit e tij të armatosur që të rivendosej rregulli dhe disiplina. Pas kësaj, turqit arritën t’i sprapsin grekët dhe t’i ndjekin deri matanë lumit të Artës në jug. Porta e Lartë e shpërbleu Esatin me urdhrin Osmanije të Klasit të Dytë dhe pak më vonë ai u bë gjeneral brigade.

Një diplomat austriak, me të cilin Esati komunikonte shpesh gjatë viteve të Janinës, e përshkruan pashain shqiptar si njeri që nuk dinte shkrim e këndim, kishte një pamje autoritare dhe vishej gjithnjë mirë, ndryshe nga ushtarakët e tjerë turq. “Esati, – tregon diplomati, – nuk dilte kurrë në rrugët e Janinës pa roje të armatosura dhe nuk komunikonte me asnjërin nga konsujt e tjerë përveçse me mua, ndoshta sepse unë i flisja shqip. Ai kishte marrëdhënie të rregullta miqësore me shumë personalitete shqiptare, sidomos me Vlorajt në Vlorë, me Vrionët e Beratit, me Xhelal bej Këlcyrën e të tjerë”. Esati, – vazhdon diplomati, – nuk kishte ndonjë emër të mirë. Njihej si gjaknxehtë, i dhunshëm dhe i korruptuar dhe dukej se e kishte sjellë me vete këtë nam, pasi në pozitën si komandant xhandarmërie nuk duhej të kishte arsye për t’u ankuar. Në Janinë e mbanin për mysliman të betuar, që ishte kundër çdo zakoni të ashtuquajtur  “allafrënga”, sepse ndërhynte rreptë te vartësit për gjëra të tilla si alkooli, qejfet e ndaluara apo veshjet europiançe të grave myslimane.

Pas nënshkrimit të paqes me grekët, Esati mbeti komandant i xhandarmërisë së Janinës, por në vitin 1902 ndodhi diçka që i dha një drejtim të ri karrierës së tij. Në atë kohë, vali i Janinës ishte Osman Tatar pasha, njeri që urrehej nga shqiptarët, siç rrëfen deputeti i parlamentit italian, markezi Antonino di San Giuliano, i cili më vonë do të bëhej ministër i Jashtëm. Atë vit markezi qëlloi të vizitonte Janinën dhe tregon se Osman pasha shkonte keq me Esatin, aq keq saqë nga Stambolli ishte dërguar një komision për të zgjidhur grindjet mes të dyve. Një të diel shtatori, kur valiu ndodhej në shtëpinë e verdhë të një bukurosheje greke, kishte plasur një skandal. Esat pasha me xhandarët kishin rrethuar banesën e grekes, kishin shpërthyer dyer e dritare dhe ishin futur brenda. Valiun bashkë me mikeshën e tij e kishin rrahur dhe nxjerrë zvarrë në rrugë. Jazëkllar ollsun sana! (paç faqen e zezë) i kishte bërtitur Esati.

Thuajse njëlloj e tregon këtë histori publicisti dhe poeti arbëresh nga Siçilia, Zef Skiroi. Ai shkruan se me paudhësitë dhe provokimet kundër shqiptarëve, valiu e kishte ndezur keqas shpirtin krenar dhe përbuzës të Esatit, saqë ky i kishte dhënë ca dacka të mira kur e kishte kapur në shtëpi me greken. Pastaj, mu në sy të saj e të disa zyrtarëve të tjerë, e kishte shtrirë për tokë dhe e kishte quajtur derr i derrave, turp për Kuranin e për Turqinë.

Ngjarja në shtëpinë e grekes bëri bujë dhe u njoftua në gazetat europiane, të cilat e përshkruanin si një histori xhelozie. Valiu deklaroi se nuk do të linte gur pa lëvizur deri sa Esati të ndëshkohej. Por shqiptarët ishin fëmijët e përkëdhelur të perandorisë dhe sulltani i trajtonte ata me kujdes e me drojë. Esatin nuk e ndëshkuan. Atë e emëruan komandant xhandarmërie në Shkodër, me mision për të riorganizuar trupat. Esati u nis për në Shkodër më 15 shtator 1902, i përcjellë me brohoritma nga njerëzit. Ai qëndroi në postin e ri deri më 1908 dhe pati kohë ta njihte mirë qytetin.

Esati përshkruhet si njeri energjik në krye të trupave. Në një rast, në shkurt të vitit 1903, ai u dërgua në rrethinat e Tiranës ku, sipas njoftimeve nga Stambolli, arriti të kapë më shumë se 200 “banditë”.

Rreth kësaj kohe, mes fiseve katolike në vilajetin e Shkodrës kishte plasur një revoltë kundër përpjekjeve të Stambollit për të mbledhur taksa dhe rekrutuar nizamë mes gegëve, të cilët denbabaden jetonin të panënshtruar, në gjendje gjysmëpavarësie. Esati ishte në krye të trupave për zbatimin e reformës si dhe për një detyrë tjetër, edhe më të vështirë: grumbullimin e armëve.

Ndonëse me ofiq në Shkodër, Esati e kalonte një pjesë të mirë të kohës në Tiranë dhe ndikimi i tij u ndie mjaft. Gjithnjë sipas rrëfimit të të kunatit, Fikret Aziz, me mjetet që kishte në dorë, Esati u përpoq të bëjë ndryshime. E filloi me shtëpinë e tij, të cilën e prishi thuajse krejt dhe e rindërtoi mbi muret e vjetra, duke ia përshtatur jetës moderne. Transformoi të gjitha banesat që i përkisnin atij vetë dhe ndihmoi të tjerët të bënin po ashtu. Prishi shtëpitë prej druri, hapi rrugë të drejta dhe përmirësoi kushtet sanitare. Me shpenzimet e tij Esati hapi rrugën që zbriste nga Tirana për në Durrës dhe që kalonte nëpër një tokë me pyje.

Mund ta marrim me rezervë atë që thotë i kunati, por një tjetër dëshmitar, shqiptar i Amerikës, që e vizitoi Shqipërinë në vitin 1907, tregon të njëjtën histori. Ai shkruan në gazetën Kombi të Bostonit se Tirana “ka një xhade e cila vete në Durrës dhe kjo është një nga punët e Esat Pashës”. Për zbukurimin që ka dhe që po merr dita më ditën, – tregon vizitori, – “është e tepërt të thom shumë fjalë, po për pak vjet Tirana, në rrojtë Esat pasha, do të bëhet një nga më të bukurit qytete të Shqipërisë”.

Esati, shkruan nga ana e tij Fikret Aziz, u përpoq të zhvillojë bujqësinë dhe tregtinë dhe u nda përfundimisht nga tradita, sipas së cilës bejlerët, pasi u kishin dhënë fshatarëve tokën, veglat dhe kafshët, i detyronin këta të punonin për hiçgjë. Duke mos qenë i kënaqur me këtë mënyrë, tregon i kunati, ai u linte fshatarëve çerekun e të ardhurave nga toka.

Në vitin 1908, Esati u zgjodh deputet i Durrësit në parlamentin osman. Për një farë kohe, ai ishte me partinë Bashkim e Përparim të Turqve të Rinj, të cilët premtonin plot reforma në atmosferën gulçuese që kishte pllakosur perandorinë. Por ndonëse i përkiste partisë xhonturke, Esati e kishte mendjen më tepër tek interesat e vetë dhe nuk tregonte ndonjë mbështetje aktive për këtë parti në përpjekjet e saj për të shpëtuar perandorinë nga shpërbërja.

Një udhëtar i huaj me emrin Jovan Jovanoviç, funksionar i lartë serb, që kishte kaluar nëpër Shqipëri në vitin 1908, shkruante se Esati ishte njeri i pasur dhe grabitqar, me një ndikim të madh nga Shkodra deri në Durrës, madje në krejt Shqipërinë. Jovanoviçi dëshmonte se e kishte takuar vetë Esatin në doganën e Shkodrës dhe e përshkruante atë si pronar pyjesh, si mik të ngushtë të italianëve dhe si njeriun, të cilit i dëgjohej fjala në pallatin e sulltanit. “Kur flet me të, – shkruante funksionari serb, – të krijohet përshtypja se ai është në favor të ideve të përparimit: ndërtimit të rrugëve, hapjes së tregjeve, forcimit të fuqisë ekonomike të shqiptarëve… Siç thonë të tjerët, ai ka punuar shumë për hesap të vet, i ka shitur mirë pyjet e tij; ai ble miniera, përvetëson mallra të porositur nga të tjerë dhe i shet fshehurazi për një dorë të mirë paresh”.

Në fund të gushtit 1909, një udhëtar francez i quajtur Gabriel LouisJaray (Gabriel Lui-Zhare) vizitoi Tiranën dhe e takoi vetë Esatin, të cilin e përshkruan të veshur europiançe, por me fes në kokë. Kishin kaluar vetëm pak muaj pas asaj skene dramatike në Stamboll, ku Esati kishte shqiptuar përpara Sulltan Hamitit fjalët “populli ju ka rrëzuar”. Kur arriti Jaray, Esati bashkë me njerëz të familjes ishte ulur në çifligun e tij, nën hijen e një gështenje. Ishte rrëzuar, kishte thyer këmbën dhe e mbante të shtrirë. Në dorë mbante një bastun të gjatë e të hollë me kokën prej floriri. “Sapo i ka kaluar të dyzetat, ka shtat mesatar dhe sy çpues”, shkruan udhëtari në kujtimet që botoi pak vjet më vonë. “Të kuptohemi, – vazhdon Jaray, – atij nuk i mungon as zgjuarsia dhe as dinakëria, por kultura e tij duket shumë elementare dhe nuk e ka lustrën që ka fituar kushëriri i tij Refik nga kontakti me perëndimin dhe nga vizitat e drejtpërdrejta të qyteteve tona e të qytetërimit tonë.” Jaray nuhat tek Esati njeriun e luftës dhe e përshkruan atë si “energjik, të vendosur dhe brutal”, edhe pse “më pak mendjemprehtë sesa bejlerët e tjerë”.

Udhëtari na jep një Esat që lëkundej mes dy identiteteve. Pashai, shkruan ai, e mbylli bisedën me fjalët “shqiptarë, por osmanllinj”. Një ditë më vonë Jaray do të nisej bashkë me Refik Toptanin për në Elbasan, ku shqiptarët përgatiteshin të mbanin një kongres për shkollën dhe arsimin shqip. Në krye të lëvizjes qëndronin Biçakçinjtë elbasanas dhe Toptanët tiranas dhe, siç shkruan Jaray, e gjithë kjo kishte miratimin e plotë të Esatit.

Përgjithësisht, ata që kanë shkruar për këtë temë e kanë lënë në heshtje faktin që Esati mbështeste shkrimin latin për shqipen. Në prag të një kongresi të dytë që do të mbahej në Manastir nga 2 deri në 3 prill 1910, Esati u drejtohej katolikëve të Shkodrës me këto fjalë: “Të jeni të sigurt se shkrimi ynë kombëtar, i vetmi që mund të lulëzojë gjuhën tonë, do të mbrohet prej nesh kundër armiqve të Shqipërisë dhe do të përparojë e do të përdoret për madhësinë e atdheut të dashur. Esad Toptani”. Kur thotë “prej nesh”, Esati duket se e ka fjalën për deputetët shqiptarë në Stamboll.

Në vitet 1909-1910, një varg ngjarjesh tronditën territoret shqiptare. Turqit e rinj ndërmorën një fushatë kundër kulturës dhe gjuhës shqipe. Mësimi shqip u godit, alfabeti latin u refuzua. Në vend të tij, shqiptarëve u kërkohej të përdornin germat turke, që nuk përshtateshin me fonetikën e shqipes, sepse vetë turqishtja ishte një përzierje e osmanishtes, persishtes dhe arabishtes. Më pas, një kryengritje e madhe përfshiu Kosovën dhe lëvizja u përhap mes malësorëve të Mbishkodrës.

Esati u përpoq të luajë një rol, fliste në parlamentin osman për të drejtat e shqiptarëve, protestonte, por e kuptonte se xhonturqit po sillnin një shtypje të re për popullsitë e robëruara dhe se programi i tyre ishte një letër pa vlerë. Në një debat të nxehtë në fillim të dhjetorit 1910 në parlamentin osman, ai sulmoi ashpër qeverinë, i akuzoi xhonturqit si shkaktarë të kryengritjes së Kosovës dhe të ngjarjeve në Malësinë e Madhe.

Kronikat e kohës na japin një Esat popullor. Në janar 1911, kur ai bëri një vizitë në Shkodër, pritja ishte triumfale, shkruan Corriere d’Italia. “Të gjithë qytetarët e Shkodrës, pa dallim feje, kishin dalë turma-turma për ta përshëndetur dhe për t’i shprehur mirënjohjen, që ushqen populli për mbrojtjen e guximshme, që ai, bashkë me deputetët e tjerë shqiptarë, u kanë bërë të drejtave të tyre kombëtare në parlamentin osman”.

Në parlament Esati e përshkruante vilajetin e Shkodrës si një koleksion gërmadhash për shkak të harrimit dhe mospërfilljes nga autoritetet qendrore. Për sa u përket rebelimeve, ai ua hidhte fajin gabimeve që bënin funksionarë të caktuar. Sipas tij, kur trupat turke që shkonin për të çarmatosur popullatën gjenin nëpër shtëpi armë me vlerë, i merrnin ato për vete për t’i shitur më vonë në pazaret e Stambollit.

Corriere d’Italia shkruante kështu për vizitën e Esatit në Shkodër: “Me dashamirësinë e tij të natyrshme, ai përshëndetej me të gjithë. I falënderonte dhe u shtrëngonte dorën me shumë përzemërsi, bisedonte me secilin për të mësuar mbi nevojat e popullit”.

Edith Durham, humanistja angleze që e njihte mirë Shqipërinë, e përshkruan Esatin e kësaj kohe si një oportunist. “Sipas zërave, – shkruan ajo, – Esati aspironte të bëhej kreu i Shqipërisë nën xhonturqit. Por Shqipëria shumë shpejt u ngrit në revoltë kundër despotizmit të tyre. Në vitet 1910-1912, mes shqiptarëve dhe forcave turke pati luftime të ashpra. Esati e ndjeu se tani nuk kishte asnjë shans për të sunduar Shqipërinë nën xhonturqit”.

Pak muaj pas vizitës së Esatit, punët u acaruan përsëri. Në fillim, kur ushtria e Shefqet Turgut pashës erdhi në Shkodër nga Kosova, një pjesë e malësorëve, duke besuar ende te Kushtetuta, pranuan me ngurrim të bëjnë sakrificën më të madhe, të dorëzojnë armët në shenjë kompromisi.

U bë e zakonshme të shihje karvanët e qerreve të mbushura kapicë me armët e kapura të shqiptarëve. Karrocat e tërhequra nga buajt marshonin me një qetësi solemne për në Durrës, prej ku ato pushkë të vjetra, të ndotura nga balta, do të transportoheshin me anije për në Selanik. Ishte ngarkesë e një lloji të veçantë, sepse shqiptar pa pushkë nuk mund të kishte. Ato armë të markave e të formave të ndryshme, fshihnin qindra histori të pashkruara dhe, së bashku, përfaqësonin thelbin e mbijetesës malësore.

Mirëpo, pas kësaj, turqit nisën një fushatë shpagimi. Në një rast, Turgut Pasha dha urdhër të hidhej në erë një xhami në minaren e së cilës ishte duke kënduar hoxha. Brenda minutës minarja bashkë me hoxhën u rrëzuan përdhe. Vinte turku katund më katund dhe bënte numërimin e frymëve për ta patur më të lehtë rekrutimin e të rinjve. Por nuk numëronin vetëm djemtë. Për shqiptarët, të cilët njiheshin për respektin ndaj femrës, ishte fyerje e madhe kur u kërkohej të jepnin emrat e grave, vajzave dhe motrave të tyre. Më e rënda ishte kur i zoti i shtëpisë rrihej me kamxhik mu përpara kullës së vet dhe biles me muzikë. Poshtërimi ishte i tillë, saqë këta burra e mbanin marazin përbrenda dhe nuk e përmendnin kurrë fyerjen që u ishte bërë.

Nga fundi i marsit 1911, Malësia e Mbishkodrës u ngrit në revoltë. Të trimëruar nga vrulli i rebelimit dhe të zemëruar nga vrasjet, djegiet e përdhunimet e ushtrisë, malësorët kërkuan kësaj here që Shqipëria të bëhej e vetëqeverisur, me garanci nga Fuqitë e Mëdha, por nën hijen e Turqisë. Donin që arsimi të bëhej shqip. Donin që bijtë e tyre të mos merreshin nizamë e të dërgoheshin për të mbrojtur provincat aziatike të sulltanit. Qeveria turke solli nga Shëngjini ushtarë, topa e pushkë. Pati luftime të tmerrshme dhe u vranë me qindra nga të dyja palët. Familje të tëra malësorësh kaluan në Mal të Zi për t’i shpëtuar ndëshkimit turk.

Esati deklaroi në parlament se qeveria duhet t’i zgjidhte punët paqësisht me shqiptarët dhe të dërgonte zyrtarë të ndershëm e të aftë që të dëgjonin me kujdes kërkesat e tyre. “Kam lexuar nëpër gazeta se do të formohet një komision. Shpresoj që ai të dërgohet sa më shpejt, sepse kjo do të bënte përshtypje të mirë dhe do të qetësonte shpirtrat”, -tha Esati.

Qeveria e Stambollit nuk e priste që kjo qëndresë e Malësisë së Madhe të ishte kaq kryeneçe dhe e organizuar. Ekspeditat ndëshkuese të Shefqet Turgut Pashës dështuan dhe në qershor, shqiptarët dolën me një memorandum të fuqishëm për autonomi. Por më në fund, pas disa muajsh, kur vrulli i rebelimit u fashit, kërkesat e malësorëve morën vetëm përgjigje gjysmake.

Ndërkaq, në parlamentin osman nuk pushonin grindjet për rebelimet shqiptare dhe deputetë si Syrja bej Vlora, Shahin bej Kolonja dhe Esat pashë Toptani ngriheshin me radhë për të kritikuar qeverinë. Në seancën e 18 dhjetorit Esati tha: “Lëvizja shqiptare është pasojë e politikës së keqe të qeverisë. Kjo qeveri kërkon ta ndreqë gabimin me forcën e armëve, çka është e papranueshme”.

Deputeti Hasan Prishtina, përshkruan në kujtimet e tij se si nga fundi i vitit 1911, ai dhe Ismail Qemali, pas një takimi në Stamboll, vendosën të ngrenë në këmbë të gjitha trojet shqiptare kundër mizorive turke. Ata mbajtën një kuvend, ku ftuan edhe deputetë të tjerë: Myfit bej Libohovën, Esat pashë Toptanin, Azis pashë Vrionin dhe Syrja bej Vlorën. Kësisoj, Esati u bë pjesë e të ashtuquajturit komplot i Taksimit. U quajt kështu, sepse mbledhja u mbajt në lagjen Taksim të Stambollit, te shtëpia e Syrja beut.

“Kuvendi nuk zgjati shumë, – kujton Hasan Prishtina, – dhe të gjithë shokët u bashkuan mbi këtë pikë: ‘për me i dhanë fund politikës tyrke në çashtje të kulturës kombëtare e për me sigurue disa privilegje politike (sepse) për Shqypni nuk ka tjetër mjet veçse me fitue me nji kryengritje të përgjithshme’”. Ismail Qemali premtoi të shkonte në Europë për të siguruar armë dhe të holla, Esati dha fjalën se do të dilte vetë për t’i prirë Shqipërisë së Mesme dhe Mirditës, ndërsa Myfit Beu, Azis Pasha dhe Syrja Beu do të udhëhiqnin çetat e jugut.

Share: