Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka deklaruar sot se ka vendosur të kërkojë shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.
Ajo tha se do t’i kërkojë Presidentit të ta shkarkojë Rektorin e Universitetit të Tiranës.
“Protestën e studentëve e pashë si një mundësi për universitetin, ministrinë, studentët e të gjithë shoqërinë për të mbledhur forcat e për të thelluar reformën në arsimin e lartë në mënyrë që të sigurojmë përfundimisht arsim cilësor në universitetet tona.
Ligji i Arsimit të Lartë solli një risi në menaxhimin e universiteteve. Ai ndau përfundimisht vendimarrjen akademike dhe administrative brenda universitetit në mënyrë që rektorët, dekanët dhe pedagogët të merreshin me çështje që kanë të bëjnë me cilësinë e arsimit – literaturën, kërkimin shkencor, dhënien e titujve akademikë, punësimin e pedagogëve – ndërsa administratorët të merreshin me çështje që kanë të bëjnë me menaxhimin ditor financiar, të prokurimeve, të ndërtesave etj.
Është modeluar mbi universitetet më të suksesshme në botë sepse është vërtetuar se lehtësimi i strukturave nga barra administrative rezulton gjithmonë në cilësi të arsimit të lartë.
Ky model ka funksionuar në të gjitha universitetet publike në Shqipëri përveç Universitetit të Tiranës. Rektori i Universitetit të Tiranës nuk është mjaftuar me kompetencat akademike, por ka dashur të mbajë edhe kompetenca administrative të cilat me ligj nuk i takojnë. Në disa raste, nuk ka lejuar organet përkatëse të ushtrojnë ato kompetenca, gjë që ka shkaktuar një betejë të hapur mes organeve udhëheqëse në Universitetin e Tiranës në dëm të procesit mësimor, cilësisë së arsimit dhe eksperiencës studentore.
Në shkurt të vitit 2018-të, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) dërgoi një grup inspektimi në Universitetin e Tiranës për të verifikuar zbatimin e Ligjit të Arsimit të Lartë në atë institucion. Grupi i inspektimit gjeti shkelje në organet vendimarrëse, nga rektori, senati dhe pjesa administrative dhe la rekomandime të qarta për adresimin e tyre.
Në vjeshtë të 2018-tës, grupi i punës kthehet sërish në Universitetin e Tiranës për të parë zbatimin e rekomandimeve të lëna dhe gjen që nga të gjitha organet drejtuese, vetëm rektori nuk kishte zbatuar asnjë nga rekomandimet e Ministrisë.
I është kërkuar që të shfuqizojë vendimet që ka marrë në tejkalim të kompetencave; të mos pengojë procesin e punësimit të stafit akademik sipas nevojave të fakulteteve që deri tani ka paralizuar punën në fakultete; të lejojë përdorimin e protokollit dhe arkivit nga stafi administrativ, gjë e cila deri tani ka penguar punën e stafit administrativ; dhe i është kërkuar që urgjentisht të funksionalizojë sistemin e teknologjisë informative në universitet.
Kjo e fundit rezulton një shkelje e rëndë, po aq edhe banale, pasi jemi në vitin 2019-të dhe universiteti më i madh në Shqipëri ende evidenton notat dhe listë-prezencën me dorë, gjë e cila nuk u jep garanci studentëve se notat e tyre mbahen në mënyrë të rregullt dhe transparente. Për më shumë, mos-funksionimi i sistemit IT ka penguar edhe nismat tona për shpërndarjen e bursave dhe qasjen e studentëve në bibliotekën digjitale.
Më ka bërë përshtypje mungesa e iniciativës së rektorit për të zgjidhur problemet në universitet. Rektori është ankuar shpesh për dekanët, por kurrë nuk ka ardhur me një kërkesë të mirë-argumentuar që t’ja aprovojmë heqjen e tyre. Shpresova se do të shfrytëzonte momentumin e krijuar nga protesta e studentëve për të ndërmarrë masa dhe përmirësuar klimën e punës në universitet, por kjo nuk ndodhi.
Unë nuk kam në dorë asnjë mjet ligjor për të zgjidhur ngërçin në Universitetin e Tiranës, përveç se të pezulloj rektorin dhe të kërkoj nga Presidenti i Republikës shkarkimin e tij, që t’i hapim rrugë reformës së domosdoshme në Universitetin e Tiranës.
Ne e morëm seriozisht protestën e studentëve dhe sot kemi një vizion të qartë se si do të përmirësojme arsimin e lartë në Shqipëri.
E ardhmja është e paqartë për çdo të ri dhe të re, jo vetëm në Shqipëri por kudo nëpër botë dhe universiteti ka për detyrë të përgatisë të rinjtë për këtë të ardhme. Ne nuk e dimë se cilat do të jenë vendet e punës në dispozicion apo si do të jetë ekonomia pas 10 apo 20 viteve.
Por e dimë se çdo i ri duhet të ketë aftësi komunikimi në gjuhën amtare dhe së paku një gjuhë tjetër, njohuri për botën, aftësi digjitale, aftësi të të menduarit për vete, aftësi për kërkim shkencor, aftësi për punë rigoroze e në ekip me të tjerët. Këto i ndërton universiteti i mirë. Dhe ne po punojmë fort që universitetet shqiptare të bëhen universitete të mira që i pajisin studentët e vet me aftësitë e nevojshme për të ardhmen e tyre.
Duke filluar nga vjeshta, do të investojmë në kampuse, laboratore e konvikte. Deri atëhere, bashkë me universitetet do të përgatisim projektet e nevojshme për investim. Do të vazhdojmë të subvencionojmë tarifat që studentët të paguajne edhe më pak e shteti ende më shumë për studimet e tyre. Kemi vënë në dispozicion bibliotekën digjitale me miliona artikuj, libra e revista shkencore që mundëson kërkimin shkencor dhe është baza e përmirësimit të cilësisë së arsimit të lartë. Do të sigurojmë transparencë në vendimarrje, si financiare ashtu edhe akademike. Do të drejtojmë studentët drejt së ardhmes së tyre më të mirë duke i pajisur me studime akademike ata që duan të studiojnë dhe duke u mundësuar atyre studime profesionale që duan më shpejt t’i qasen tregut të punës përmes programeve dy-vjeçare.
Por që ky vizion të realizohet, na duhet një frymë e re në universitet. Na duhet një frymë bashkëpunimi mes studentëve e pedagogëve, pedagogëve e udhëheqësve të universitetit, udhëheqësve mes tyre apo edhe me ne si ministri – gjë që është bërë e pamundur në Universitetin e Tiranës dhe sot jemi në këtë pikë ku unë detyrohem të marr një vendim të vështirë si ky i pezullimit të rektorit.
Më vjen me të vërtetë keq për Profesor Konin, i cili ka qenë gjithmonë shumë korrekt dhe kordial me mua si person. Por, përkundër kordialitetit, jam udhëheqëse e një institucioni që ka për detyrë të sigurohet se ligji po zbatohet dhe reforma po realizohet në të mirë të të gjithëve. Sidoqoftë, është gjithmonë vështirë të merret vendim për pezullimin e një personi të zgjedhur me vota nga institucioni që përfaqëson dhe më vjen keq që kemi arritur deri këtu.
Vendimin për shkarkimin e rektorit e merr Presidenti dhe ai do të ketë në dispozicion të gjithë materialin e përgatitur nga grupet e inspektimit.
E kam dëgjuar me kujdes fjalën e Presidentit Meta dje në një universitet privat ku tha se: “Protesta e Dhjetorit ka treguar se zbatimi aktual i Ligjit për Arsimin e Lartë ka probleme.”
Jam plotësisht dakord me Presidentin, sidomos për sa i përket Universitetit të Tiranës, ku ligji nuk është zbatuar, e rrjedhimisht universiteti është keq-menaxhuar dhe kjo ka rezultuar me probleme serioze për të gjithë gjeneratën e studentëve që sot janë duke ndjekur studimet në Universitetin e Tiranës.
Duke marrë parasysh shqetësimin e shprehur nga Presidenti për mos-zbatimin e Ligjit të Arsimit të Lartë, jam e bindur që do të marrë vendimin e duhur për zgjidhjen e ngërçit në Universitetin e Tiranës”, tha Shahini.