Alfred Lela këshillon opozitën, që sot të marrë Kuvendin dhe të shpallë një Parlament paralel.
“Skenografia e protestave të opozitës nuk ka qenë e njëjta dhe ky element i bën mirë imazhit opozitar, sepse politika është imazh sa edhe thelb. Ka patur ‘lëvizje’ në repertorin e protestave dhe kjo është gjë e mirë. Ama duhet vazhduar me ‘lëvizjet’.
Poshtë njëtrajtshmëria! Kohët dhe njerëzit janë likuidë, të lëvizshëm, në kërkim të një habie dhe emocioni tjetër, dhe opozita duhet me iu përgjigj kësaj antropologjie psiko-emocionale. ‘Sit in’, për shembull, është një formë shumë e suksesshme në Perëndim.
Opozita mund ‘të marrë’ Kuvendin ose Kryesinë e Kuvendit dhe prej aty të shpallë një ‘parlament paralel’. Aty mund të mbahen fjalime, të ftohet publiku, të dëgjohen apo këndohen këngë patriotike, e me radhë.
Duke thënë se parlamenti ka rënë dhe se deputetët e opozitës janë bashkuar me popullin, një formë e tillë proteste, një ‘sit in’, kthen agorën apo kuvendin e publikut.
Kjo është vetëm një ide. Repertori i protestave ka qindra të tilla. Duke mbajt gjithmonë në sy dhe mendje një gjë: jo dhunë. Shumë simbolikë dhe zero violencë”, thotë ai në një intervistë për Mapo.