“Krimi do marrë goditje fatale”, Lleshaj ultimatum policisë në Elbasan. Çfarë u diskutua në takimin me dyer të mbyllura?

Aktualitet Kronikë Kryesore

Ka zgjatur 90 minuta takimi i Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu me Prefektin e Qarkut Elbasan, Gledian Llatja, Drejtuesen e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan,Enkeleida Millonai, Kreun e SHISH Elbasan, Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Arjan Muça dhe përfaqësues të tjerë të organeve ligjzbatuese.

 

Në takimin e zhvilluar mes tyre është diskutuar me shqetësim dhe përgjegjësi rreth situatës aktuale të rendit dhe qetësisë publike në Qarkun e Elbasanit dhe jo vetëm si dhe për marrjen e masave të menjëhershme për t’u dhënë goditjen fatale të gjitha organizatave kriminale si dhe të gjitha figurave të krimit që veprojnë në territor.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj sipas burimeve konfindenciale ka kërkuar nga Drejtuesi i sapoemëruar i Drejtorisë Vendore të Policisë së Elbasanit që trupa profesioniste që ai ka në dispozicion të inkurajohet për të qenë në lartësinë maksimale në kryerjen e detyrës.

Policia e shtetit ka deklaruar se do të shkatërrojë pa mëshirë aktivitetin e të gjithë grupeve kriminale dhe të cilindo në çdo cep të Shqipërisë duke i dhënë fund të gjitha spekulimeve se krimi ka mbështetje politike.

Pavarësisht ngjarjeve të rënda të ndodhura në Elbasan dhe gjetkë policia është duke punuar më së miri dhe rezultatet jo vetëm që nuk do të mungojnë , por do të jenë spektakolare.

Me qytetin e Elbasanit janë të lidhura mjaft fije të organizatave kriminale në Shqipëri të cilat janë identifikuar dhe që ju është dokumentuar aktiviteti i tyre i paligjshëm. Forca e ligjit do t’i godasë organizatat kriminale njëra pas tjetrës duke i dërguar para Drejtësisë.

Në përfundim të takimit mes Lleshajt, Veliut,Prefektit të Elbasanit dhe përfaqësuesve kryesorë të organeve ligjzbatuese është arritur në përfundimin se puna e të gjithëve do ti shërbejë rritjes së  parametrave të sigurisë së jetës së qytetarëve si dhe rritjes së zbulueshmërisë dhe goditjeve të forta ndaj krimit dhe kriminelëve. /BW/

Share: