Në mbledhjen e zhvilluar dje, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ngriti komisionin e posaçëm për vlerësimin e kandidatëve për prokurorë në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion.
Me anë të një votimi, si anëtarë të këtij komisioni u zgjodhën: Arben Dollapaj, Sandër Beci dhe Bujar Sheshi, i cili ka zëvendësuar Antoneta Sevdarin, që u largua pas vendimit të shkarkimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit(KPA). Ndërkohë, dy anëtarët e tjerë janë ndarë, një nga radhët e prokurorëve, Besnik Cani, dhe një nga anëtarët jo prokurorë të KLP-së, i cili do jetë Tartar Bazaj.
Konkretisht, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të kalojë në skaner dosjet e hetuara ndër vite nga kandidatët për SPAK. Kështu, vlerësohen pesë dosje të përzgjedhura, kryesisht për akuzat e korrupsionit dhe krimit të organizuar që kanë trajtuar kandidatët, të cilët kërkojnë të jenë pjesë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Pas kësaj, të përzgjedhurit do t’i nënshtrohen procesit të vetingut për të kaluar më pas në fazën e fundit, atë të përzgjedhjes.
Struktura e Posaçme Antikorrupsion, e njohur gjerësisht si SPAK, do të jetë e specializuar për hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Prandaj edhe një nga kriteret e parashikuara në ligj për anëtarin e Prokurorisë së Posaçme është eksperienca në hetimet për krimin e organizuar dhe korrupsionit. Ndërkohë, ngritja e SPAK-ut do të shkrijë Gjykatën për Krime të Rënda dhe një pjesë e kompetencave të kësaj të fundit do t’u kalojnë gjykatave në rrethe. Aktualisht, gjyqtarët e Krimeve të Rënda, në pjesën më të madhe të tyre, kanë dhënë pëlqimin për të qenë pjesë e SPAK-ut, kjo e fundit do të ketë edhe 15 prokurorë.