Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë Philip S. Kosnett dhe ambasadori i SHBA-së në Beograd Kyle Scott në një editorial për gazetën “Zëri” kërkuan që viti 2019 të jetë vit i marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë, mirëpo sipas analistëve kjo gjë është vështirë e arritshme, shkruan Gazeta “Zëri”.
Njohësi i çështjeve politike Ramush Tahiri duke e komentuar qëndrimin e ambasadorëve të SHBA-së, në Prishtinë dhe në Beograd, ka thënë për “Zërin” se pavarësisht vullnetit të SHBA-së për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare në mes të dyja vendeve, gjasat që kjo të realizohet janë shumë të vogla.
“Se a do të ketë vullnet në Kosovë dhe në Serbi për arritjen e marrëveshjes, në bazë të deklarimeve publike që po bëhen kohëve të fundit te të dyja vendet, arritja e një marrëveshjeje gjatë këtij viti duket shumë e vështirë dhe ka rrezik se Kosova e Serbia ta humbin një gjeneratë, ashtu siç e tërhoqën vërejtjen dy ambasadorët, ai në Beograd dhe ai Prishtinë. Pra nuk shoh ndonjë vullnet që këtë vit të arrihet ndonjë marrëveshje. Më shumë besoj se do të mbetet një lloj konflikti i ngrirë, sepse të dyja vendet kanë qëndrime të kundërta”, ka thënë Tahiri.
Mirëpo pavarësisht kësaj Tahiri ka thënë se SHBA-ja shpreson në arritjen e një marrëveshjeje dhe po mundohet për arritjen e saj, prandaj Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë momentum. “Dy ambasadorët kanë dëshiruar që të bëhet brenda këtij viti dhe kanë shprehur gjithë përkrahjen e ndihmën për Kosovën dhe për Serbinë e po ashtu kanë thënë se edhe Kosova, edhe Serbia të heqin dorë nga veprimet e njëanshme duke i specifikuar për të dyja vendet atë që duhet të bëjnë. Kjo është një nder që u bëhet këtyre dy vendeve dhe kjo është një shtysë që t’i zgjidhin problemet në mes të dyja vendeve që po i rëndojnë marrëdhëniet mes tyre”, ka theksuar Tahiri./ZËRI