Kryeministri Edi Rama, në takimin e përjavshëm me platformën e bashkëqeverisjes tha se të dhënat e sondazheve tregojnë se besimi i publikut është rritur tek platforma. Ai theksoi se qytetarët jo vetëm që marrin shërbim dhe zgjidhin hallet e tyre, por njëherësh ushtrojnë presion mbi administratën duke e përmirësuar punën e tyre.
“Skuadra e platformës është e gatshme të adresojë problemin dhe ta zgjidhë atë. Kemi bërë një anketim lidhur me perceptimin e publikut për shërbimin e kryer. Kemi konstatuar se përqindja që vlerësojnë se shërbimet janë përmirësuar është e konsiderueshme dhe e pakrahasueshme me atë që kishim një vit më parë. Platforma jo vetëm zgjidhë probleme, por edhe ushtron presione mbi administratën”, tha Rama.
“Sot nuk kemi më Hipotekë dhe Aluizni të ndarë, por një agjenci e cila sapo ka filluar bashkimin në një. Mos prisni, mos lejoni t’u shikojnë nga xhepi, mos kërkoni deputetin e krushkun, por thjesht një klik në Shqipëriaqëduam.al dhe menjëherë keni qeverinë në krahun tuaj. Qeveria është një instrument në dorën e çdo qytetari”, shtoi ai.
Në takimin e radhës të “Bashkëqeverisjes”, Kryeministri Rama prezantoi studenten e punësuar së fundi në platformë, e që vjen nga radhët e paktit për universtitetin, për punësimin e ekselentëve. Rama tha se studentja e punësuar, vijon studimet master shkencor në universitet dhe është një shembull që masterin e paguan me punën e vet.