Bushati: Demokracia nuk është zëvendësim i një liste emrash

Aktualitet Kryesore Politikë

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ishte i vetmi në radhët e deputetëve socialistë në seancën plenare të kësaj të mërkure.

Bushati doli me argumenta jashtë kornizave të qëndrimit zyrtar të mazhorancës sa i takon krizës politike.

Nuk ka diskutim që politika shqiptare për herë të parë është në një situatë të paprecedentë.

Kemi qenë shpesh në rrethrrotullime, kemi gjetur tabelën “exit” për të dalë nga këto rrethrrotullime, por për herë të parë në historinë e pluralizmit të Shqipërisë, një parti apo dy parti politike parlamentare kanë dorëzuar mandatet e tyre, të dhëna nga populli.

Natyrisht ky është një precedent i ri, jo vetëm për demokracitë e reja në Evropën Qendrore dhe Lindore, por edhe për vende me regjime despotike, siç është rasti i Venezuelës”, deklaroi ai në fjalën e mbajtur në Parlament.

Bushati kërkoi që mazhoranca të mos qëndrojë arrogante përballë këtyre zhvillimeve.

Duke dalë nga Parlamenti, unë jam i bindur që ata kanë dëshmuar një lloj frike dhe një lloj kapitullimi. Por kjo nuk mund të na bëjë ne të jemi arrogantë, nuk mund të na bëjë ne të harxhojmë orë të tëra duke u marrë me protestat. Ne nuk mund të biem në kurthin e profecisë vetpërmbushëse”, vijoi ai.

Ish-ministri i Jashtëm mbështeti qëndrimin e Damian Gjiknurit sa i takon reformës zgjedhore.

Demokracinë nuk e konceptoj si procedurë të thjeshtë. Demokracia si procedurë është zëvëndësimi formal i listës së Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Por demokracia është edhe thelb dhe fakti që ne krijojmë mundësinë për një marrëveshje të ardhshme për kodin zgjedhor për rregullat e lojës, qoftë me opozitën parlamentare, por mbi të gjitha për opozitën politike, besoj se është shprehja më e lartë e ndërgjegjësimit që ka Partia Socialiste e Shqipërisë. Socialistët, progresistët shqiptarë për fatet e demokracisë dhe për fatet e Shqipërisë”, shtoi ai.

Fjalim i Bushatit në Kuvend ishte i drejtpërdrejti sa i takon kritikave ndaj qeverisë dhe opozitës.

Share: