Sëmundja e diabetit po merr përmasa të frikshme në Shqipëri dhe jo vetëm. Çdo vit numërohen 4.000 raste të reja që diagnostikohen.
Ndërkohë që niveli i lartë i sheqerit në gjak dëmton zemrën, veshkat, trurin dhe sytë dhe ajo që është edhe më shqetësuese, sot ka fëmijë me diabet.
“Nuk duhet të harrojmë që kemi rreth 15 për qind të popullatës që është me prediabet. Pra, persona të cilët ende nuk plotësojnë kriteret për diabet, por që po nuk ndryshuan mënyrën e tyre të jetesës, brenda 5 deri në 10 vitet e ardhshme, gjysma e tyre do të kthehen në diabetikë. Mosha e fillimit të diabetit 2 po ulet në mënyrë drastike. Sot, diabeti tip dy po fillon që nga mosha 30-35 vjeç, ka edhe fëmijë 10 vjeç me këtë diabet, sepse sot në Shqipëri kemi fëmijë obezë”, tha profesor Florian Toti.
Por, parandalimi i diabetit duket se është lënë vetëm në ndërgjegjen e individit, pasi nuk ka një strategji kombëtare për të frenuar sadopak këtë sëmundje që vret në fshehtësi.
“Për fat të keq ne, ende edhe sot nuk kemi një regjistër kombëtar të diabetit, nuk kemi një strategji kombëtare për diabetin, nuk kemi ende mjekë familjeje të trajnuar sa duhet për një ndjekje sa më të mirë të personave me diabet”, theksoi më tej profesor Toti.
Shoqata europiane e Diabetit ka mbledhur në Tiranë mjekë të njohur endokrinologë nga e gjithë bota, për të përcjellë mënyrat e reja të trajtimit të pacientëve me diabet.
Kostot e trajtimit të pacientëve me diabet janë shumë të larta, ndaj kërkohet të ndërhyhet sa më parë, sidomos te nxënësit e shkollave, nëpërmjet një strategjie kombëtare.
“Hapi i parë është ndryshimi i mënyrës së të ushqyerit. Disa kohë më parë u bë një diskutim shumë i gjerë në lidhje me ndryshimet e menyve nëpër kopshte e çerdhe, gjë për të cilën unë isha pro. Për fat të keq, ky ndryshim u reflektua vetëm në kopshte e çerdhe shtetërore. Unë jam shumë i kënaqur që sot nëpër shkolla, deri në 9-vjeçaret, fëmijët kanë në programin e tyre 3 herë në javë aktivitetin fizik. Por, a bëhet vërtet ky aktivitet fizik?”, ngriti dyshimet mjeku Florian Toti.
Nëse do të rritet aktiviteti fizik, apo do të ndryshohet mënyra e të ushqyerit, do të reflektohen menjëherë në gjatësinë e trupit të fëmijëve, si dhe në peshën trupore të tyre.