Ish-ministrja serbe: Më shkarkuan pse s’mendoj si kryeministri

Rajon/Botë

Vesna Mikic e liruar nga posti qeveritar nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se shkarkimi i saj ka ardhur pasi Shefi i Qeverisë nuk dëshiron të ketë serbë në institucione që mendojnë me kokën e tyre.

Ajo ka thënë se nga institucionet e Kosovës po largohen serbë që nuk dëshirojnë të jenë vetëm dekor në institucionet e Kosovës.

 

Mikic ka thënë se ka thënë një të vërtetë kur ka folur për “gjenocidin e NATO-s ndaj popullit serb”.

“E vërteta, sipas jush, është vetëm ajo që ju përshtatet dhe ajo që vetëm ju dëshironi ta dëgjoni”, ka shkruar ish-Zëvendësministrja e Drejtësisë në letrën drejtuar Ramush Haradinajt.

Kjo zyrtare e Listës Srpska ka thënë se qëndron prapa fjalëve të thëna në rrjetet sociale se bashkësia ndërkombëtare kishte sulmuar një shtet sovran, pa miratimin e OKB-së dhe në shpërputhje me rregullat ndërkombëtare.

Ramush Haradinaj e ka shkarkuar Vesna Mikic vetëm një ditë pasi ajo foli kundër sulmeve të NATO-s të kryera para njëzetë vitesh, në kohën kur Serbia vrau mbi dhjetë mijë njerëz, dëboi më shumë se një milion shqiptarë nga Kosova dhe dogji gjysmën e Kosovës.

Share: