Akademiku i njohur Artan Fuga, thotë se Parlamenti i Shqipërisë edhe para lënies së mandateve nga opozita.
“Ajo që na mungon është mekanizmi i ndërtimit të konsensusit si shoqëri. Është shumë e zorshme të kesh logjikën dhe edukatën e konsensusit. Ne kemi 30 vjet që sistemi politik na prodhon kriza, kriza legjitimiteti dhe përfaqësimi dhe në një moment shpërthen. Shpërthen me dhunë ose është në një gjendje latente të sëmurë, ose edhe kur ishte, ditën e enjte dëgjoheshin replika që mbështeteshin në fjalë jo politike. Për mua nuk ekziston ai Parlament, por edhe për njerëzit që unë ndaj eksperiencat e mia të ditës. Ai Parlament nuk ishte një Parlament konstruktiv ku ndërtohet politika dhe ku ndërtohet shteti. Diskutimi parlamentar është një diskutim ku ndërtohet shteti. Ishte kthyer unë hedh bojë, ti hedh çadra, unë hedh çizme ti hedh batuta”,tha ai.
I ftuar në studion e ABC News, profesor Fuga thekson se mazhoranca duhet të nxjerrë mësime nga djegia e mandateve.
“Fitojmë që mazhoranca socialiste sot nxjerr një mësim që me opozitën nuk mund ta çosh elementin përjashtues në tejskaj. Sigurisht që vendimet i merr shumica, por shumica ka disa nuanca për t’i marrë vendimet, për të vendosur dialogun. Pra nuk mund ta çojë përjashtimin deri në fund. Nuk mundet të mendojë që meqë i ka votat, nuk ka mekanizma të tjerë në shoqëri që atë sistemin e votave e relativizojnë shumë dhe nuk është një fuqi e mbinatyrshme dhe një kyç në derë nga e cila nuk del dot më. Tjetra, sensibilizohen aktorët ndërkombëtarë, të cilët kanë nevojë të hedhin një sy mbi sistemin politik në Shqipëri sepse përgjegjësia është edhe e tyre. Kështu ka ndodhur edhe në 2011, 2008, etj. Kemi një sëmundje kronike të këtij sistemi”, u shpreh ai.
Sipas tij, ky sistem politik ka prodhuar kriza gjatë gjithë tranzisionit dhe është i sëmurë.
“Ky sistem politik ka prodhuar kriza, i mban elitat të ngurtësuara. Ky sistem politik e kërkon qytetarin në 4 sekonda në 4 vjet për të hedhur atë letrën. Ky sistem politik është ndërtuar mbi elektoralizmin e sëmurë. Këtu ke një sëmundje kronike e sistemit politik. A do ketë fuqi elita politike shqiptare të mendojë për ndërtimin e demokracisë në Shqipëri, apo do të qëndrojë në një gjendje infantile”, shtoi më tej.