Dy standardet e qeverisë, e fortë në Borsh, por memece në Tiranë

Analizë Opinion

Nga Klodian Tomorri

Qeveria shqiptare reagoi fuqishëm ndaj ngjarjes së rëndë në Porto Palermo, ku një biznesmen i fandaksur lokal sulmoi një grup turistësh spanjollë. Sapo mediat transmetuan pamjet e denja për filmat aksion, Blendi Klosi u nis me urgjencë në Sarandë për të qenë pranë turistëve të sulmuar, ndërsa Edi Rama e quajti agresorin barabar që njollosi Shqipërinë.

Por teksa Mihali i Borshit rivalizonte Vin Dieselin në triologjine hollivudiane XXX, në Tiranë, vetëm 200 metër larg zyrës së kryeministrit, pesë punëtorë ndërtimi u shembën përdhe nga skela e një pallati në rikonstruksion.

 

Për dy prej tyre, Orjan Kodra dhe Ergys Ibrahimaj, shembja e skelës rezultoi fatale, ndërsa tre të tjerët mbetën të plagosur rënde. Por ndryshe nga turistët spanjollë që cuan shtetin në këmbë, jeta e punëtorëve të thjeshtë shqiptarë nuk pati të njëjtën vlerë në sytë e qeverisë.

Asnjë zyrtar i lartë i qeverisë dhe aq më pak kryeministri nuk e pa të arsyeshme të ngushëllonte familjet e viktimave. Asnjë prej tyre nuk denjoi të vizitonte të plagosurit dhe sigurisht askush nuk guxoi të shqiptonte fjalën drejtësi, ashtu si kryeministri kërkoi për sulmin ndaj turistëve.

Ky standard i dyfishtë i qeverisë është mirëfilltazi hipokrizi. Ngjarja e Tiranës është shumë më e rëndë se sa ajo e Borshit. Përtej kësaj është edhe shumë më e dyshimtë. Të fandaksur si Mihali mund të gjesh në cdo vend. Në Greqi, Italia madje edhe në Spanjë. Sado të tmerrshme pamjet e sulmit të tij ndaj turistëve, ato mbeten një ngjarje e izoluar dhe sigurisht pa prapavijë të dyshimtë.

Por ngjarja e Tiranës është e errët dhe madje e përsëritur. Vetëm gjatë këtij viti janë të pakten 5 punëtorë që kanë humbur jetën në vendet e punës, të cilët i bashkohen listës së gjatë të minatorëve që janë varrosur dhe varrosen sistematikisht për së gjalli në miniera apo punonjësve të tjerë që vriten kudo nëpër Shqipëri.

Pertej kësaj, shumica e tyre kanë humbur jetën në vepra publike të kontraktuara nga institucionet e shtetit, sic ishte rasti i djeshëm në Tiranë. Në të gjitha këto ngjarje, në asnjë rast nuk ka patur një hetim të besueshëm, i cili të bëjë publike rrethanat, por mbi të gjitha përgjegjësitë.

Pergjegjësi të cilat bien direkt mbi qeverinë dhe institucionet në varësi të saj, që kanë detyrën ligjore për të garantuar sigurinë e punonjësve në vendet e tyre të punës. Kjo është dhe arsyeja se pse qeveria hesht. Pse bëhet e fortë në Borsh, por memece në Tiranë.

Share: