Në dy muajt e parë të këtij viti kompanitë e sigurimit kanë paguar në total më pak dëme sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.
Të dhënat zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar – shkurt 2019 u ulën me 6.78% krahasuar me periudhën janar – shkurt 2018.
Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 0.83 milionë lekë, apo 63.30 % të totalit të dëmeve të paguara bruto.
Në të kundërt kanë ecur ndërkohë treguesit që lidhen me ecurinë e primeve të shkruara bruto në përgjithësi për tregun e sigurimeve.
Sipas AMF të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar – shkurt kapën vlerën mbi 2,369 milionë lekë, ose 1.37% më shumë se në periudhën janar – shkurt 2018. “Gjatë periudhës janar – shkurt 2019, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 177,450 me një rritje prej 5.59% krahasuar me periudhën janar – shkurt 2018.
Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 93.08 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 6.76% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.16%.
Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 35.82% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 64.18% të totalit të tregut” vlerëson AMF.
Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Të dhënat tregojnë se primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar – shkurt 2019 arritën rreth 1.52 milionë lekë, ose 5.56% më shumë se në periudhën janar – shkurt 2018.
“Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar – shkurt , pati një rritje prej 5.12% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 5.46% krahasuar me periudhën janar – shkurt 2018.
Produkti Karton Jeshil në periudhën janar – shkurt pati një rritje prej 11.39% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje e numrit të kontratave prej 52.03% krahasuar me periudhën janar – shkurt 2018.
Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar – shkurt , pati një ulje 18.10% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar – shkurt 2018. Ndersa numri i kontratave u ulje me 17.04%” thuhet në raportimin e AMF.
Sigurimi Vullnetar
“Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar – shkurt 2019 arritën rreth 0.85 milionë lekë, 5.35% më pak se në periudhën janar – shkurt 2018. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 1.33% krahasuar me periudhën janar – shkurt 2018.
Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar – shkurt 2019, patën ulje me 6.76% kundrejt periudhës janar – shkurt 2018.
Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar – shkurt 2019 siguruan mbi 0.35 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 74.72%, të pasuara nga sigurimi i garancisë me 13.30% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar – shkurt 2019, vihet re një ulje prej 2.41% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 5.27% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar – shkurt 2018.Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar – shkurt 2019, arritën në rreth 0.18 milionë lekë, duke shënuar ulje prej 18.38% në krahasim me periudhën janar – shkurt 2018.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar – shkurt 2019, arritën rreth 0.16 milionë lekë, ose 1.43% më shumë se në periudhën janar – shkurt 2018” nënvizon AMF./monitor