Një njeri, një Akademi: Sami Frashëri sipas vajzës së tij

Kulturë Reportazh / Profil

Kujtim Nuro

Shkrimet e studiuesve turq – të periudhës së viteve 1940-60 (Agah Sirri Levend, Hikmet Dizdaroglu, Omer Faruk Akun etj.) e deri të ditëve të sotme – lidhur me historinë e jetës personale të Sami Frashërit, përveç kujtimeve të shkruara prej tij, të djalit Ali Sami Yenit, e miqve dhe të bashkëkohësve, janë mbështetur dhe mbështeten dhe në kujtimet e hollësishme të vajzës së tij te madhe, Samijes. Këto kujtime, të cilat deri sot janë dhënë në mënyrë fragmentare nga studiuesit e lartpërmendur, janë botuar në disa numra te gazetës “Aksam” (Aksham – K.N.) gjatë periudhës 20 dhjetor 1944 – 4 janar 1945, nga gazetari i mirënjohur turk, Hikmet Feridun Es (1909- 1992). Ai i ka përfshire kujtimet e vajzës se Samiut në vazhdimësinë e shkrimeve lidhur me jetën dhe veprimtarinë e njerëzve më të shquar, të cilët kishin dhënë një ndihmesë të madhe në përparimin dhe civilizimin e Turqisë, por që në krahasim me veprën e madhe që kishin lënë, jeta e tyre personale ishte mjaft pak e njohur nga lexuesi i gjerë dhe veçanërisht nga studiuesit e fushave të ndryshme të shkencës.

Shkrimet e botuara nga Hikmet Feridun Es janë përfshirë dhe në librin me të njëjtin titull: “Njerëzit e famshëm që nuk i njohim”, botuar nga Shtëpia botuese “Otuken Nesriyat”, Stamboll, 2009. Në serinë e këtyre shkrimeve, duke u mbështetur në kujtesën e familjarëve, të bashkëshorteve, fëmijëve, nipërve, mbesave dhe të miqve te tyre të afërm, jep të dhëna të hollësishme dhe me interes nga jeta e personaliteteve të mëdha turke. Hikmet Feridun Es është përpjekur të marrë të dhëna të hollësishme nga jeta personale e Ahmet Vefik Pashës, Besim Omer Pashës Haxhi Arifit, Husejin Rahmiut, Kemal Pashazadesë, Lejla Hanemit, Marko Pashës, Mit’hat Pashës, Mizanci Muratit, Muallim Nacit, Nigar Hanit, Osman Hamdiut, Sulejman Numanit, Tevfik Fikretit etj. Në mesin e këtyre personaliteteve ndodhet dhe enciklopedisti, dramaturgu, gjuhëtari, romancieri, përkthyesi, i rralli për të gjitha kohërat, Sami Frashëri – apo Shemseddin Samiu siç njihet ne historiografinë turke.

Kujtimet e botuara nga gazetari i talentuar, i kemi gjetur ne Arkivin e Taha Toros, i cili ndodhet pranë bibliotekës së Universitetit te qytetit te Stambollit. Arkivi i koleksionistit të rrallë turk përmban 400 mijë dosje, ku një pjese të rëndësishme e përbëjnë dokumentet, fotografitë, kupurat e gazetave, shënimet e tij lidhur me historinë e territoreve dhe personalitetet shqiptare gjate Perandorisë Osmane dhe më tej. Prandaj, koleksioni i arkivit të Taha Toros, një pjesë e të cilit Universiteti i Qytetit te Stambollit e ka digjitalizuar, është njëkohësisht dhe burim i rëndësishëm arkivor jo vetëm për historianët turq, por dhe për studiuesit shqiptarë.

Gazetari Hikmet Feridun Es, përshkruan ngjarje nga jeta e përditshme e dijetarit të madh të të dy kulturave – asaj shqiptare dhe turke. Këto kujtime kanë lënë gjurmë të paharruara në kujtesën e fëmijëve të Sami Frashërit, veçanërisht të vajzës së madhe, Samijes, e cila i ka qëndruar gjithmonë pranë babait te saj. Ajo ka qenë e martuar me Reshat Ererin, i cili ka qenë në kabinetin e Tevfik Pashës në detyrën e ministrit të Financave, Arsimit dhe Vakufeve. Nga kjo martesë ata kanë patur dy djem: Mehmet dhe Emin Ererin. Emin Ereri ka dhënë një ndihmesë të madhe në pasurimin e fondit arkivor të gjyshit të tij me dokumente të reja, fond i cili ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit. Ai ka ndërruar jetë në Stamboll më 13 tetor 1992.

Duhet të kujtojmë gjithashtu se Samija, motra e Ali Sami Yenit, së bashku me nënën e Asim Tevfik Sonmut, Ayshe Hacer, kanë qepur me dorë dhe uniformen e parë të klubit të futbollit Galatasaray, të cilët së bashku me shokët e tjerë e themeluan në shkollën “Sultaniye” në Stamboll, ditën e hënë më 30 tetor 1905. Njëkohësisht, emrin e saj e ka trashëguar edhe një nga stërmbesat e Samiut.

Gazetari Hikmet Feridun Es thekson se kur ai i ka marrë kujtimet e saj ajo ka qenë në moshën 60-vjeçare, dhe kujtesën e saj e krahason me kujtesën e një vajze 20-vjeçare. Në rrëfimet e saj ajo shprehet se babai, Samiu, ishte i sëmurë dhe i varfër, nën dritën e qiririt, i vetëm, kur krijoi vepra të mëdha, sikur të ishte një Akademi e tërë e Shkencave e përkushtuar ndaj historisë dhe kulturës së qytetërimit njerëzor. Por, fëmijët e “Babait te enciklopedistëve” – siç do ta thërrisnin më vonë studiuesit turq  mbas vdekjes së tij – dolën nga shtëpia për shkak të borxheve që ai nuk kishte mundur të shlyente. Pronari Fehmi Pasha, i cili mori shtëpinë e Sami Frashërit për arsye të mos pagimit të këtyre borxheve të mbetura, u kishte lënë fëmijëve të tij vetëm 24 orë për të dalë nga shtëpia. Fëmijët, me t’u mbushur afati, dolën dhe i grumbulluan rrobat që kishin përpara avllisë së xhamisë. Ata, aty përjashta, me sytë e tyre të dëshpëruar dhe plot lot, shikonin se si një pasha i pasur po hynte në shtëpinë e dijetarit të madh.

Biblioteka e Samiut prej 20 mijë vëllimesh, mbasi ndërroi jete, u shit për vetëm 80 lira.

Gazetari Hikmet Feridun Es vë në dukje se Sami Frashëri kishte shumë shokë të ditur të kulturës islame, por nga pikëpamja e besimit fetar ai ishte ndarë nga ata përfundimisht, edhe pse fjala e fundit që ai ka thënë kur ndërroi jetë ishte fjala “Allah”(Perëndi).

Samiu bënte jetë mjaft të thjeshtë, por zemrën e kishte shumë të madhe. Edhe pse në gjendje jo të mirë ekonomike, priste dhe përcillte me mjaft bujari miq, shokë, në disa raste grupe-grupe. Çdo të mërkurë, në shtëpinë ku banonte, e kishte bërë zakon të takohej dhe të bisedonte me miqtë dhe shokët e tij me të afërt, edhe pse në trupin e tij kishte disa sëmundje.

Samiu ishte shumë i vëmendshëm ndaj të tjerëve dhe mjaft tolerant në bisedat me shokët e tij, por kërkonte qetësi absolute kur shkruante. Çdo ditë e fillonte punën përpara se të lindte dielli.

Kujtimet e botuara, për të tërhequr vëmendjen e lexuesit, përveç titullit kryesor janë shoqëruar me nëntituj dhe shënime të përmbledhura. Nëntitullin “Njerëzit e famshëm që nuk i njohim”, në përshkrimin e jetës së përditshme dhe të veprimtarisë krijuese të Sami Frashërit, ai botimin e kujtimeve të vajzës së madhe, Samijes, e fillon shkrimin me nëntitullin: “Një gjigand mendimtari, të cilin nuk e njohim aspak: Shemseddin Samiu”. Dhe, më poshtë nënvizon: “Samiu nuk e donte llambën me gaz. Të gjitha veprat e tij i ka shkruar nën dritën e qiririt. Në jetën e tij, llamba me gaz nuk ka hyrë në shtëpi. Qirinjtë vinin arka-arka. Minderi, ku ai rrinte, kishte ngjyrë të kuqe. Fillonte të shkruante përpara se të lindte dielli. Letër me ngjyrë të kaltër dhe bojë e cila nuk përhapej. Mbas shkrimit, konjak dhe çaj”.

Në fillim të ciklit të shkrimit, gazetari shkruan se Sami Frashëri është autori i “Kamus-i Turki” (Fjalori turqisht). Përveç gjuhës turke njihte dhe greqishten, latinishten, frëngjishten, persishten dhe ka shpjeguar të folmet e gjuhës induse. Punoi 16 vjet, ditë e natë për përgatitjen e “Enciklopedisë” dhe mundi të marrë nga kjo vetëm 300 lira.

Kongreset gjuhësore, veprat në fushën e gjuhësisë, kishin vendosur të mbanin si bazë kryesore të burimeve veprat e Samiut. Në anketën e një letrari, Ismail Habib ka thënë: “Punën që nuk e kanë bërë shkencëtarët për 40-50 vite të tëra, e ka bërë i vetëm Sami Frashëri, duke punuar si një gjigant dhe ia ka dalë me sukses”.

Në shkrimet e tij, gazetari Hikmet Feridun Es ndër të tjera shkruan:

“Sami Frashërin nuk e ka shqetësuar asnjëri. Nëse hapni ngadalë derën e dhomës në katin e dytë, në fillim nuk keni për të mundur të shihni asgjë, vetëm grumbuj-grumbuj librash. Hidhni sytë tuaj dhe do t’iu dalë një koke madhështore, tërheqëse, me një mjekër të gjatë dhe krejt të bardhë… Nën dritën e qiririt ai krijoi botën e shkencës… Deri sa të kishte lindur dielli, ai shkruante shkrimet e tij, i redaktonte ato dhe pasi i dërgonte në shtypshkronjë, shtrihej përsëri”.

“Samiu ulej në një minder, i cili kishte madhësinë që mund të ulej vetëm një person, duke të kujtuar një divan të vogël. Kolltuku i tij i punës kishte disa gjëra specifike. Ai ishte i harkuar dhe ishte i mbuluar me një copë ngjyrë vishnje. Ulej mbi kolltuk dhe shpinën, kurrizin nuk e mbështeste në asnjë vend. Punonte vazhdimisht në një pozicion të përkulur. Letrën e kthente nga njëra anë dhe e mbështeste mbi gjunjë. Ai, gjithashtu, në të njëjtën kohë u drejtohej librave . Për këtë kishte bërë një tavoline me një plan të vetin, në një mënyrë të veçantë. Kjo është një tavolinë mjaft e gjatë, sirtarët e së cilës zgjateshin kur hapeshin me tërheqje të ndryshme. Mbi të qëndronin hapur libra në gjuhë të veçanta, ndonjëherë në 6-7 gjuhë të ndryshme, të cilat do t’iu duhej t’i shikonte dhe t’iu drejtohej. Kjo tavolinë gjendet tek vajza e madhe që e ruan atë ashtu siç ka qenë. Zonja Samije Erer, e cila ndodhet përballë tavolinës, thotë: ‘Për librat që ai do të lexonte, kjo tavolinë nuk ishte e mjaftueshme’”.

“Në mes të grumbujve të librave, të cilët lartësoheshin në çdo cep të dhomës, ai vetes së tij i kishte caktuar një vend, një fole. Në këtë ambient, duke kaluar përmes cepave të këtyre grumbujve librash qëndronte duke punuar trupi i tij mjaft i lehtë. Në kohën që ju hyni në dhomë, ju nuk mund të shikoni atë nga poshtë qafës. Dhe, akoma më tepër, në hapin e parë ju do të ndjeni një aromë të veçantë. Kjo aromë do të ishte ‘era e librit’, e cila do të godiste menjëherë hundën tuaj. Zonja Samije Erer, me sytë e saj të kredhur në mendime dhe të vërejtur, duke parë tavolinën në të cilën Samiu ka kaluar përballë saj gjithë jetën e tij, shton: ‘Tani, me të hapur një libër të vjetër, me të ndjerë aromën e një libri, është njësoj sikur unë ndjej erën e babait tim’”.

“Ne të dy anët e tavolinës, ndodheshin dy mbështetëse. Dhe në këto qëndronin letrat e dijetarit, dorëshkrimet, boja, pena. Drita vazhdimisht vinte nga mbrapa. Për këtë ai kishte bërë rafte të posaçëm për të vendosur qiririn. Në raftin i cili ndodhej mbrapa, qëndronte një shandan trekëndor. Kurse në mbështetëset, ne secilën prej tyre, ishte vendosur një qiri. Dijetari, sipas nevojës, i tërhiqte nga atje-këtu, djathtas-majtas. Sipas nevojës, shkonte në tavolinë për të hapur librat voluminozë me trashësi të madhe. Vendosjen e qirinjve e kishte bërë në atë mënyrë që të kryqëzoheshin në të njëjtën kohë me syrin e tij”.

“Vazhdimisht shkruante në letër me madhësi të gjatë dhe ngjyre të kaltër të errët, jo të hapur. Pjesët anësore të letrës gjithmonë i përthyente dhe i linte bosh për të bërë korrigjimet dhe shtesat e tjera të mëvonshme. Rregullisht në shkrimet e tij përdorte vetëm bojën e zezë. Mirëpo, në veprat me tre tekste, për të mos i ngatërruar ato me njëri-tjetrin, përdorte tre lloj ngjyrash – të kuqe, të kaltër dhe të gjelbër. Mirëpo, ngjyrën e kaltër nuk e ndryshoi. Penën e tij do ta përgatiste me kujdes të veçantë, përpara se të fillonte të shkruante. E përthyente, i jepte asaj një formë të hollë dhe të trashë. Ndiente kënaqësi nga përthyerja e penës. Shishja e bojës përbehej nga qelqi e cila ishte në atë formë që po të përmbysej, boja nuk derdhej dhe ishte nga lloji më i lirë”.

“Në kohën që punonte, nuk do të futej asnjëri në dhomën e tij. Mirëpo, me të mbaruar punën, ai bënte diçka të veçantë. Kur mbaronte korrigjimet, përplaste tri herë duart me njëra-tjetrën. Kjo përplasje e duarve ishte e vetmja shenjë që thërriste vajzën e madhe, Samijen Ererin. Ajo ndodhej në dhomën ngjitur me atë të Samiut. Me të dëgjuar zhurmën e duarve, vajza e re fluturonte nga krevati dhe do të vraponte pranë babait të saj. Në këtë kohë do të ishin orët më të mira të babait me vajzën e cila kishte ngelur pa nënë që në moshën gjashtëvjeçare”.

“Samiu kishte një zakon në orët e mëngjesit: të përgatiste një ponç me konjak, limon dhe çaj. Çajin e ziente me dorën e tij. ‘Babai e pinte këtë çaj, filxhan mbas filxhani’. Samiu tregonte mjaft tregime të bukura. Pastaj, vajza e re Samije, duke thënë ‘Babaxhem, Perëndia të dhëntë qetësi’, do të dilte nga dhoma, sepse dijetari i madh mbasi dërgonte dorëshkrimet në shtypshkronjë, shtrihej për të fjetur”.

Share: