Fillesat e shkrimit shqip dhe roli i arbëreshëve në ruajtjen e shqipes së hershme

Kulturë Reportazh / Profil

Edhe pse gjuha shqipe është një nga gjuhët e lashta të Ballkanit, ajo është dokumentuar me shkrim mjaft vonë, pikërisht në shekullin XV.

Dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe, është “Formula e pagëzimit”, e vitit 1462. Është një fjali e shkurtër në gjuhën shqipe: “Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit”, që gjendet në një qarkore të shkruar në latinisht nga Kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjëlli, bashkëpunëtor i ngushtë i Skënderbeut.

-Pal Engjëlli, gjatë një vizite në Mat, vuri re çrregullime në punë të ushtrimit të fesë dhe me këtë rast, ai la me shkrim disa porosi dhe udhëzime për klerin katolik, ndër të cilat edhe formulën e mësipërme, të cilën mund ta përdornin prindërit për të pagëzuar fëmijët e tyre, në rastet kur nuk kishin mundësi t’i dërgonin në kishë, ose kur nuk kishte prift.

Formula është shkruar me alfabetin latin dhe në dialektin e veriut (gegërisht). “Formula e pagëzimit” është gjetur në Bibliotekën Laurentiana të Milanos nga historiani i njohur rumun Nikolla Jorga dhe është botuar prej tij në vitin 1915.

Dokumenti i dytë, i shkruar në gjuhën shqipe është “Fjalorthi i Arnold fon Harfit” (Arnold von Harffi), i vitit 1497. Fon Harfi ishte një kalorës gjerman, udhëtar dhe shkrimtar, i lindur në një familje fisnikësh në veriperëndim të Këlnit.

-Në vjeshtën e vitit 1496, fon Harfi u nis për një udhëtim, me sa duket një pelegrinazh në Tokën e Shenjtë, çka e shpuri në Itali, nëpër bregdetin shqiptar, në Greqi, Egjipt, Arabi, Palestinë, Azi të Vogël, dhe pastaj në kthim nëpër Evropën qendrore në Francë e në Spanjë.

Gjatë udhëtimeve, fon Harfi mblodhi materiale mbi gjuhët që ndeshi në vende të ndryshme.

Në një ndalesë në portin e Durrësit në pranverën e vitit 1497, kur po lundronte me anije tregtare me vela nga Venediku në Aleksandri, ai shënoi njëzetegjashtë fjalë, tetë fraza dhe dymbëdhjetë numra në gjuhën shqipe, të cilat i hodhi bashkë me përkthimin gjermanisht në ditarin e tij të udhëtimit.

Ky Fjalorth u botua për herë të parë më 1860 në Këln, nga E.von Grote.

Dokumenti i tretë i rëndësishëm i shqipes së hershme është i ashtuquajturi “Ungjilli i Pashkëve” ose “Perikopeja”, që i përket shekullit XV.

Teksti përmban pjesë të përkthyera nga Ungjilli i Shën Mateut, etj. Ai është shkruar në dialektin toskë dhe me alfabet grek.

Këto dokumente nuk kanë ndonjë vlerë letrare, por paraqesin interes për historinë e gjuhës së shkruar shqipe. Shqipja, që në fillimet e shkrimit të saj, dëshmohet e shkruar në të dy dialektet, në dialektin e veriut (gegërisht) dhe në alfabetin e jugut (toskërisht), si dhe me dy alfabete, me alfabetin latin dhe me alfabetin grek, gjë që tregon se kultura shqiptare ishte njëkohësisht nën ndikimin e kulturës latine dhe të kulturës greko-bizantine.
Një studiues i njohur arbëresh, Nilo Borgja, i cili botoi edhe një studim të mrekullueshëm për “Perikopenë e Ungjillit” nga shekulli XIV, me grafema greke e fjalë shqipe.

 

 

 

Po para këtyre tre dokumenteve, a ka qenë e shkruar gjuha shqipe?

 

Shumë të dhëna na bëjnë të mendojmë se shqipja duhet të ketë qenë shkruar edhe me parë.  Për ta kuptuar këtë, vlen të përmendim dokumentet e mëposhtme:

  • 14 korrik 1285 – Dokumenti latinisht i Raguzës. Gjuha shqipe përmendet për herë të parë në një dokument të gjetur në arkivat e Dubrovnikut, në të cilin mes të tjerash thuhet në latinisht, që mund të përkthehet: “Dëgjova një zë që thërriste në mal në gjuhën shqipe.” Pra ky është një dokument për gjuhën shqipe, por i shkruar në latinisht.
  • 1308 – një udhëtar frëng, dominikan shprehej: “Kështu shqiptarët e lartpërmendur kanë një gjuhë të dalluar prej latinëve, grekëve dhe sllavëve.
  • me 29 prill 1332 – Gulielm Adae, shkruan një shprehje e cila është e diskutueshme: “ Sado që shqiptarët kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga latinishtja, ata përdorin në libra shkronja latine.”

 

 

Librat e para në gjuhën shqipe

Libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe është “Meshari” i Gjon Buzukut, i vitit 1555, i cili shënon edhe fillimin e letërsisë së vjetër shqiptare. Nga ky libër, na ka arritur vetëm një kopje, që ruhet në Bibliotekën e Vatikanit. Libri përmban 220 faqe, të shkruara në dy shtylla.

 

“Meshari” i Gjon Buzukut është përkthimi në shqip i pjesëve kryesore të liturgjisë katolike, ai përmban meshet e të kremteve kryesore të vitit, komente të librit të lutjeve, copa nga Ungjilli dhe pjesë të ritualit dhe të katekizmit. Duket qartë, se kemi të bëjmë me një nismë të autorit, me një
përpjekje të tij, për të futur gjuhën shqipe në shërbimet fetare katolike. Pra, edhe për gjuhën shqipe, ashtu si për shumë gjuhë të
tjera, periudha letrare e saj nis me përkthime tekstesh fetare.

Libri i parë në gjuhën shqipe, “Meshari” i Gjon Buzukut, u zbulua për herë të parë në Romë nga njëri prej shkrimtarëve të veriut, Gjon Nikollë Kazazi.

“Meshari” i Gjon Buzukut është shkruar në gegërishten veriore (veriperëndimore), me alfabet latin, të plotësuar me disa shkronja të veçanta. Libri ka një fjalor relativisht të pasur dhe ortografi e forma gramatikore përgjithësisht të stabilizuara, çka dëshmon për ekzistencën e një tradite të mëparshme të të shkruarit të shqipes.

Në shekullin XVI i ka fillimet edhe letërsia në gjuhën shqipe te arbëreshët e Italisë. Vepra e parë e letërsisë arbëreshe në gjuhën shqipe dhe vepra e dytë për nga vjetërsia, pas asaj të Buzukut, është ajo e priftit arbëresh Lekë Matrenga “E mbesuame e krishterë….”, e botuar në vitin 1592. Është një libër i vogël me 28 faqe, përkthim i një katekizmi. Libri është shkruar në dialektin e toskërishtes, me alfabet latin, plotësuar me disa shkronja të veçanta për të paraqitur ato tinguj të shqipes, që nuk i ka latinishtja.

Një zhvillim më të madh njohu lëvrimi i gjuhës shqipe në shekullin XVII, nën penën e një vargu autorësh, si: Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani, të cilët nuk bënë vetëm përkthime, por shkruan edhe vepra origjinale.

Frang Bardhi, në vitin 1635, hartoi të parin fjalor në gjuhën shqipe, “Fjalorin latinisht-shqip”, me të cilin mund të thuhet, se zë fill shkenca gjuhësore shqiptare.

@Të gjitha të drejtat i takojnë portalit https://redaktori.net

 

 

 

 

Share: