Ndërsa zgjedhjet e 30 qershorit janë në prag, maxhoranca ka konfirmuar vetëm disa kandidatë nga 61 në total për kryetar të bashkive. Lidhur me përzgjedhjen e tyre, PS ka ngritur një shtab special pranë selisë, përmes sondazheve të të cilit pritet të bëhet vlerësimi për kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet vendore të qershorit.
Kongresi i 23 marsit i PS, konfirmoi 7 prej tyre për bashkitë kryesore në vend. Përmes fjalimeve të mbajtura në sallë, PS zbuloi se në Bashkinë e Korcës konfirmoi për një mandat të dytë, kryetarin aktual Sotiraq Filo, po ashtu Armando Subashi u rikonfirmuar për Bashkinë e Fierit, Dritan Leli në Vlorë, Majlinda Bufin në Roskovec dhe Erion Veliajn në Tiranë. Ndërkaq për Bashkinë e Lezhës PS do të garojë në këto zgjedhje me Pjerin Ndreun i cili sipas sondazhit është pritur mirë nga opinioni lezhjan. Ndërsa në Elbasan, në vend të Qazim Sejdinit i cili ka drejtuar qytetin për 3 mandate, socialistët duket se kanë vendosur t’i besojnë Bashkinë, prefektit aktual Gledian Llatja.
Për të shmangur cdo pakënaqësi në qarkun ku vetë kryeministri është deputet, dhe për të qenë të sigurtë se Leli është kandidatura e duhur në 30 qershor, skuadra e sondazheve në PS, ka zbritur në terren me qytetarët. Rezultati i sondazhit pritet të konfirmojë nëse Leli do marrë një mandat të dytë si kryebashkiak i qytetit bregdetar apo do të përzgjidhet një tjetër kandidat për të drejtuar Vlorën.