Kush e “rrëzoi” euron? Nga vijnë dhe ku shkojnë paratë

Aktualitet Ekonomi Kryesore

Në 19 dhjetor të vitit të kaluar, euro u këmbye me 122.69 lekë, duke arritur në nivelin më të ulët, që nga gushti 2008. Ndërsa për gjithë vitin kursi mesatar i këmbimit ishte 127.6 lekë, me një rënie prej 6.5 lekësh në raport me mesataren e një viti më parë, duke shënuar rënien më të madhe vjetore që nga 2004-a.

Nënçmimi i fortë i euros nënkupton një ofertë shumë të lartë të monedhës së përbashkët në raport me kërkesën për të. Por, nga ka ardhur kjo ofertë e lartë e valutës? Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë, të publikuara në bilancin e pagesave tregojnë se ekonomia formale nuk ka sjellë më shumë valutë në 2018-n. Deficiti i llogarisë korente, një tregues që mat transaksionet e hyrjes dhe daljes së valutës në vend, ishte -860 milionë euro në vitin 2018, me një përmirësim prej vetëm 6 milionë euro, një shumë e papërfillshme për të arritur të ndikojë kursin (transaksionet ditore vlerësohen në mbi 50 milionë euro). Madje vetëm në tremujorin e katërt, kur euro shënoi një rënie të fortë, deficiti i llogarisë korente ishte 364 milionë euro, duke arritur nivelin më të lartë që nga 2011-a! (shiko grafikun: deficiti i llogarisë korente T IV).

Të dhënat historike të Bankës së Shqipërisë tregojnë se që nga viti 2015, periudhë kur euro ka rënë me 12 lekë, ose gati 9%, deficiti i llogarisë korente ka mbetur pothuajse i pandryshuar, madje në 2017-n ai u përkeqësua lehtë. Teorikisht lidhja duhet të ishte e drejtë, dmth një përmirësim i deficitit të llogarisë korente, që nënkupton më shumë valutë të hyrë nga burimet zyrtare, duhet të kishte ndikuar në rënien e euros. Praktikisht kjo nuk ka ndodhur, siç e tregon dhe grafiku i ecurisë së kursit dhe deficitit të llogarisë korente. Zyrtarisht në vend nuk ka hyrë më shumë valutë tre vitet e fundit, por sërish euro është nënçmuar ndjeshëm!

Një tjetër tregues i sasisë së lartë të valutës që qarkullon në vend, krahas efektit tek kursi, është rritja e lartë e depozitave në valutë. Sipas të dhënave të tjera të Bankës së Shqipërisë, depozitat në euro në fund të vitit 2018 arritën në 4 miliardë euro, me një rritje prej 10% me bazë vjetore, ose rreth 370 milionë euro më shumë. Ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë i kursimeve në monedhën e përbashkët. Shtimi i depozitave në euro në 2018-n ishte shumë më i lartë krahasuar me vitin e mëparshëm, kur ato u rritën me vetëm 68 milionë euro.

Krahas ofertës së lartë të euros, një tjetër faktor që ndikoi në nënçmimin e euros në 2018-n ishte konvertimi i kapitalit të bankave, që iu shtua dhe disbursimi i një kredie të BERZH për Koorporatën Elektroenergjetike Shqiptare. Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se këto transaksione përbënin një shumë afër 300 milionë euro për t’u konvertuar në një moment të caktuar, duke ushtruar presion për nënçmimin e euros. Por, nga ana tjetër BSH pranoi se ka blerë mbi 400 milionë euro në total gjatë, kryesisht gjatë periudhës qershor-shtator, jo vetëm për efekt të kursit por dhe për arsye të rezervës valutore, çka duhet të kishte amortizuar efektin e konvertimit të kapitalit dhe kredisë së BERZH.

Nga vijnë dhe ku shkojnë paratë (zyrtarisht)

Sasia më e lartë e valutës jashtë vendi del për të blerë mallra jashtë, që arrijnë në 3.8 miliardë euro, ose gati 4 herë më të larta se valuta që hyn si rrjedhojë e shitjes së mallrave jashtë vendit, duke shkaktuar një deficit prej gati 2.9 miliardë euro. Deficiti i lartë i mallrave ndikon dukshëm në gjithë deficitin e llogarisë korente.

Nga shërbimet, bilanci është pozitiv me rreth 1 miliardë euro. Këtu ndikojnë eksportet e shërbimeve, kryesisht nga aktiviteti i call center e fasoni si dhe të ardhurat neto nga turizmi, që gjeneruan neto 431 milionë euro (ndonëse dhe shpenzimet e shqiptarëve janë rritur ndjeshëm çka bëri që të ardhurat neto nga turizmi të jenë 3.5% më të ulëta se një vit më pare).

Bilanci është kthyer negative në -5 milionë euro për të ardhurat parësore, që ka ardhur si rrjedhojë e rritjes së investimeve jashtë.

Pozitiv është bilanci i të ardhurave dytësore, që janë kryesisht paratë që sjellin emigrantët në shtëpi, të cilat vitet e fundit po i kthehen sërish rritjes, si rrjedhojë e rigjallërimit të ciklit të emigracionit.

Në rezultante, nga Shqipëria dolën neto 860milionë euro në 2018-n, me një përmirësim prej vetëm 6 milionë eurosh në raport me vitin e mëparshëm./Monitor

  • foto galeri
Share: