Mandatet/ Betimi i deputetëve të rinj, Kuvendi bëhet me 94 vota. Kush ishin 3 emrat që ia bashkuan

Aktualitet Kryesore Politikë

Kuvendit të Shqipërisë iu shtuan dje tre deputetë të rinj, duke e çuar në 94 numrin e ligjvënësve.

betimi deputetet e rinj

Para fillimit të seancës plenare u mblodh Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, i cili shqyrtoi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që autorizonte Kuvendin për t’i dhënë mandatin e deputetit Ralf Gjonit, Nimet Musait dhe Enada Koçirajt. Mbledhja e Këshillit të Mandateve zgjati pak çaste dhe autorizuan direkt futjen në rend dite betimin e deputetëve të rinj.

Ndryshe nga mbledhjet e shkuara, Këshilli i Mandateve kishte kuorum, pasi asaj iu bashkua edhe Myslym Murrizi i Partisë Demokratike. Pas mbarimit të mbledhjes së Këshillit të Mandateve, Ruçi hapi seancën plenare ku ftoi tre deputetët për të bërë betimin. Pas betimit, deputetët e maxhorancës duartrokitën futjen në Parlament të tre ligjvënësve të rinj të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

VOTAT

Me futjen në Parlament të tre deputetëve të rinj, Parlamenti ka tanimë 94 vota, të cilat plotësojnë numrin e nevojshëm edhe për ndryshimet kushtetuese. Por ndryshe nga sa ishte situata një muaj më parë, balanca brenda opozitës ka ndryshuar. Kjo, pasi Lëvizja Socialiste për Integrim ka më shumë deputetë se Partia Demokratike në Parlament.

Konkretisht, nga LSI-ja kanë pranuar mandatin e deputetit 10 kandidatë. Krahas këtyre, në Grupin e deputetëve të LSI-së është edhe Lefter Koka, i cili nuk pranoi të jepte dorëheqjen nga mandati i deputetit, siç bëri pjesa tjetër e ish-deputetëve të LSI-së. Në kampin e Partisë Demokratike, numri i votave është më i rrudhur. Fillimisht, në Parlament nga PD-ja qëndruan Rudina Hajdari dhe Myslym Murrizi, të cilët nuk dhanë dorëheqjen nga mandati.

Këtyre iu bashkuan edhe Ligoraq Karamelo, Majlinda Halilaj dhe Alban Zeneli, duke e çuar në 5 numrin e deputetëve demokratë në Parlament. Ky numër nuk është i mjaftueshëm që PD-ja të ketë grup parlamentar, pasi sipas rregullores së Kuvendit, duhet një numër prej së paku 7 deputetësh në mënyrë që të formohet një grup parlamentar. Gjithsesi, ky numër pritet të shtohet edhe në ditët në viji, pasi KQZ-ja u ka dërguar ftesa kandidatëve në listën e PD-së për të marrë mandatet e dorëhequra të ish-deputetëve.

KËRKESAT

Ditën e djeshme, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u paraqitën tre kandidatë që kërkuan të bëhen deputetë. Dy prej tyre ishin nga lista e Partisë Demokratike, ndërsa tjetra ishte nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Konkretisht, bëhet fjalë për Adriatik Alimadhin, kandidat i PD-së për Qarkun Vlorë, dhe Arben Elezin, kandidat i Partisë Demokratike për Qarkun Elbasan.

Ky i fundit duket se ka ndërruar mendje, pasi fillimisht kishte firmosur që nuk do ta pranonte mandatin e deputetit, ndërsa tanimë është paraqitur për të marrë mandatin e deputetit. Adriatik Alimadhi është kryetari i Partisë Balli Kombëtar. Ky ishte futur në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike për Qarkun Vlorë, pas marrëveshjes që Basha arriti me aleatët e tij për hartimin e një liste të përbashkët për zgjedhjet.

Ndërsa nga LSI-ja u paraqit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve Ambra Borova, kandidate për Qarkun e Shkodrës, e cila pritet të zëvendësojë ish-deputetin Agron Çela. Borova i shtohet listës së kandidatëve për deputetë që ishin nga radhët e Lëvizjes Rinore për Integrim, e cila pranoi mandatin e deputetes pas Elda Hotit në Lezhë, Enada Koçirajt në Vlorë.

KANE MARRE MANDATIN

PARTIA DEMOKRATIKE

Ligoraq Karamelo
Alban Zeneli
Majlinda Halilaj

LËVIZJA SOCIALISTE PËR INTEGRIM

Enda Koçiraj
Nimet Musai
Ralf Gjoni
Ylli Shehi
Aurora Mara

Erdiola Braha
Edlira Hyseni
Enver Roshi
Edmond Rrushi
Elda Hoti

PARTIA DEMOKRATIKE

Adriatik Alimadhi

Arben Elezi

LËVIZJA SOCIALISTE PËR INTEGRIM

Ambra Borova

Share: