Zyrtarët gjermanë pas vizitës në Tiranë: Pro protestave, jo dhunës

Aktualitet Kryesore Politikë

Dy zyrtarët gjermanë kanë reaguar pas vizitës që zhvilluan në Tiranë me palët politike në vend. Përmes një deklarate, Christian Hellbach, i Ngarkuari për Evropën Juglindore, Turqinë dhe Shtetet e EFTA-s pranë Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme dhe Thomas Ossowski, i Ngarkuari për Politikat e BE-së pranë Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme janë shprehur se mbështesin protestat, por jo dhunën.

Gjithashtu zyrtarët gjermanë kanë deklaruar se dorëzimi i mandateve nga opozita është vendim i gabuar dhe se palët politike duhet të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të qershorit.

Deklarata e plotë:

“Ne ishim sot në Tiranë dhe kemi zhvilluar biseda me Presidentin e Republikës Meta, Kryeministrin Rama, Ministrin e Brendshëm Lleshaj, Ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Cakaj si dhe me kryetarin e Partisë Demokratike Basha dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Tema e bisedave ishte situata aktuale e politikës së brendshme pas dorëzimit të mandateve nga opozita. I kemi dëgjuar me vëmendje argumentat e të gjitha palëve. Debatet dhe përballjet politike janë të dëshiruara në cdo demokraci. Dhe: E drejta për të protestuar është një element i rëndësishëm i kushtetutshmërisë demokratike. Por dhuna është e papranueshme.

Është detyra e të gjithë deputetëve të zgjedhur, pikërisht në parlament, me angazhim dhe në mënyrë konstruktive, të çojnë përpara reformat e nevojshme dhe të arrijnë rezultate konkrete. Shqipëria është, p.sh. në reformën e drejtësisë, në rrugë të mbarë. Kurse bojkoti i parlamentit dhe sidomos dorëzimi i mandateve është për ne i gabuar.

Ndaj u bëjmë thirrje të gjitha partive të tregojnë përgjegjësi përkundrejt zgjedhësve të tyre dhe të marrin pjesë në zgjedhjet vendore të datës 30 qershor. Rekomandimet e OSBE-ODIHR-it,- të cilat u drejtohen si pushtetit ekzekutiv ashtu edhe atij legjislativ, kanë bërë të qartë, se në cilët sektorë duhet të përmirësohet ende sistemi zgjedhor shqiptar. Qeveria Federale është angazhuar prej muajsh tanimë, që reforma zgjedhore të shkojë përpara dhe ka financuar ndër të tjera punën e ekspertëve të pavarur për këtë qëllim.

Shqipëria duhet të zhvillojë instrumenta efektivë për të parandaluar mashtrimet në zgjedhje dhe blerjen e votave si dhe për të ndjekur në mënyrë të vendosur çdo moment dyshimi. Duhet të garantohet besimi i pakufizuar i qytetarëve në forcën e votës së tyre! Por kjo arrihet vetëm me një parlament funksional. Ne u bëjmë thirrje të gjitha partive, të punojnë në mënyrë konstruktive për reformën zgjedhore. Akuzat, të cilat kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të kaluara, duhet të verifikohen dhe përpunohen nga drejtësia dhe parlamenti në përputhje me procedurën e parashikuar për këtë.”

Share: