Dy janë procedurat e marrjes së nënshtetësisë shqiptare, parashikuar në ligjin 8389 të vitit 1998. E para, dorëzimi i aplikimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku një prej kushteve themelore parashikuar në nenin 9 për aplikantin është: “Të ketë banuar ligjërisht në territorin e Republikës së Shqipërisë, në mënyrë të vazhdueshme, për jo më pak se 5 vite”.
Pikërisht ky kusht nuk plotësohej nga vëllezërit Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara, por pavarësisht kësaj, ata e morën nënshtetësinë shqiptare, megjithëse India kishte nisur kërkime në të gjithë botën për t’i arrestuar.
Ka edhe një mënyrë të dytë parashikuar në ligj për marrjen e nënshtetësisë shqiptare. Përdorimi i një klauzole në pikën 7 të nenit 9 të këtij ligji, ku parashikohet:
“Të huajit, që ka mbushur moshën 18 vjeç, mund t’i jepet shtetësia shqiptare me natyralizim, edhe nëqoftëse nuk plotëson kushtet e këtij ligji, me përjashtim të pikës 6, nëqoftëse Republika e Shqipërisë ka një interes shkencor, ekonomik, kulturor dhe kombëtar”.
Pikërisht ky nen i ka dhënë mundësi dy shtetasve më të kërkuar në Indi, të anashkalojnë një mori me kërkesa për marrjen e nënshtetësisë shqiptare.
Jo zyrtarisht, Top Channel ka mësuar se ata kanë aplikuar duke përdorur këtë nen, por të vetëm ata nuk mund të përfshiheshin në këtë proces.
Por, kush i ndihmoi Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara të bënin një aplikim të tillë?
Me gjasë një prej ministrive shqiptarë qëndron pas dërgimit të propozimit në Presidencë për dhënien e nënshtetësisë dy mashtrusve indianë, të cilët përgjatë viteve 2008-2011 kanë marrë mbi 725 milionë dollarë kredi nga disa banka shtetërore./Tch