Panuçi: Gjithçka është perfekte, na mjafton një gol të fitojmë ndeshjen!

Sport

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Kristian Panuçi, është mjaft optimist për ndeshjen e nesërme me Turqinë. Ai mendon se me rikthimin e Sadikut skuadra do të gjejë golat dhe do ta nisë me fitore fazën eliminatore të Euro 2020. Trajneri italian thekson se Turqia duhet respektuar, por nuk duhet pasur frikë:

Situata e skuadrës – “Djemtë kanë punuar shumë mirë, janë mirë, është një ambient i mirë. Kemi bërë atë që duhej bërë dhe mendoj se djemtë janë gati për këtë ndeshje. Deri më sot është gjithçka perfekte.

Mungesa a golave – “Kthehet Sadiku, edhe pse nuk është në maksimumin e tij. Kemi lojtarë që shënojnë gola dhe jam i bindur se mjafton edhe vetëm një gol për të fituar ndeshjen, shpresojmë të mjaftojë. Ishte problem që nuk kemi shënuar, por me kthimin e Sadikut dhe Balajt, Grezdës, Uzunit e Abazajt, kemi cilësi dhe shpresoj që djemtë të shfrytëzojnë në maksimum mundësitë që kanë”.

Turqia – “Sa u përket sulmuesve të Turqisë, mendoj se kam mbrojtës të mirë, që luajnë në kampionate të rëndësishme dhe duhet të bëjnë një ndeshje të madhe për të ndalur Çalhanoglun, Jillmaz e Tosun, lojtarë të rëndësishëm. Kanë mundësinë të bëjnë mirë dhe i kam parë mirë djemtë gjatë kësaj jave”.

Strategjia – “Takojmë një skuadër të fortë, kemi cilësi që do të mundohemi ta hedhim në fushë. Herën e fundit me Turqinë kemi fituar. Nëse do të na shfaqen mundësitë do të bëjmë mirë. Respektojmë Turqinë, por do të bëjmë ndeshjen tonë, të ndërgjegjshëm që duhet të bëjmë një rezultat të rëndësishëm. Duhet ta fitojmë me dëshirë, mund, djersë. Por me gjithë respektin mund t’ia dalim”.

Krahasimi – “Është plotësisht e ndryshme këtë herë me Turqinë, pasi ndeshja është një kualifikuese europiane. Por di që skuadra ime ka një cilësi, kemi gjithë javën që flasim se kush jemi dhe të kuptojmë veten. Nga aty të nxjerrim maksimumin, por skuadra thotë që mund të bëjmë mirë ndaj Turqisë. Ndaj djemtë duhet të zbresin në fushë dhe të japin maksimumin. Si them gjithmonë, nëse jemi më të fortë fitojmë, nëse janë më të aftë do tu japim dorën e shkojmë në shtëpi”.

Mungesa e Lenjanit – “Sa i përket Lenjanit, ai është thirrur 6 nga 9 herë. Kjo thirrje në dy javët e fundit mungoi, sepse nuk ka luajtur. Unë mendoj se ai nuk i ka shprehur mungesë respekti Panuçit dhe Dukës, por Shqipërisë. Mbi të gjitha, edhe atë që kam ftuar në rolin e tij. Të komentoj një lojtar që shkruan një letër në Instagram, më vjen të qesh, më vjen të qesh ndaj ajo që mund të bëj është të pranoj kërkesën e tij. Sipas meje, ka bërë konfuzion”.

Share: