Plotësohet “grushti”

Analizë Opinion

Nga Frrok Çupi

A ndodhet vetë presidenti i Republikës para një ‘grushti shteti’?… Sot qëndroi prapa hijes së ‘grushtit’ në Kili me Allenden, por në fakt mund të jetë më e afërt…

Fjala në shqip nuk është aq e saktë sa në frëngjisht, ku thuhet ‘coup d’état’, ose vetëm ‘coup’. Në shqip është e njëjta fjalë- si ‘grusht’ kundër shtetit, ashtu edhe ‘grushti’ komunist, për shembull. Por edhe kjo ka arsyen bindëse: në vendin tonë, më shumë, njëmijë herë më shumë, ka pasur ‘grushte komuniste’ se sa klasikisht ‘coup d’ètat’. Ne jemi një komb që jemi vetëqeverisur aq mirë edhe në periudhën para-politike sipas kodeve tona, se sa një komb që na ka ndritur ylli i shtetit modern… Edhe këto 30 vjet të demokracisë kur ëndërruam të ndërtonim shtetin modern, në fushë hynë gjithfarë lloj ‘derrash’ dhe i përzien ujërat.

Edhe pse, realisht, këto tre dekada epoka u duk sikur punoi vetëm për kombin shqiptar, prapë shqiptarët e bëjnë gjëmën. Aleatët tanë të mëdhenj të Perëndimit e vunë kombin në rrugën e modernizimit, e bashkuan, i dhanë të drejtën e lirisë në lëvizje, të drejtën e krenarisë si europianë, vendin që i takon në historinë e shteteve…. Jo papritur shfaqet ‘grushti’ kundër gjithë ‘historisë’. Nëse do të shembësh kombin, atëherë qëllo mbi shtetin- këtë mallkim po kryejnë. Pas kësaj mund të përflitemi jo më ‘si shtet- komb’, as si ‘komb- shtet’ që diletantët e quajnë edhe ‘shtet formim’.

Ja ku jemi: Kryetari i shtetit njoftoi se ndodhet para një finaleje. ‘Grushti’ qenka përgatitur shkallë- shkallë, deri lart. Domethënë brenda vetëm një muaji, që nga goditja e deputetëve të Kuvendit mbi besimin e popullit dhe mbi Parlamentin në 20 shkurt, deri në 20 mars kur kryetari i shtetit mbylli ‘piramidën’.

‘Grushti’ i Presidentit:

Ai deklaroi se është bërë gati që ose të dorëzojë ‘mandatin’ e postit më të lartë, ose të kryejë vetëvrasje si presidenti Kilian, Salvador Allende në shtator 1973. Koincidencat në këtë rast janë gati biblike: Allende u vetëvra në 11 shtator 1973, në 11 shtator 2001 u krye grushti më i madh mbi Shtetet e Bashkuara. Presidenti Meta e bëri krahasimin me Alliende edhe për të evokuar qëndrimin ndaj Shteteve të Bashkuara, një letërsi e caktuar e ka akuzuar CIA-n për grushtin kundër Allendes. Edhe në palën që përfaqëson zoti Meta kundër Parlamentit në Tiranë, është akuzuar Amerika dhe Perëndimi në tërësi. Zoti Meta ka deklaruar se ‘modeli’ i tij është kryeministri komunist Mehmet Shehu, i cili ka kryer vetëvrasje.

Pse nuk ishte ndjerë me fjalën ‘grusht’ dhe ‘vdekje’ deri tani zoti Meta, kryetar shteti?

Sepse ‘punëtorët’ e grushtit ndodheshin në punë, akoma nuk kishin mbërritur në majë të kalasë që ndërtohej ‘për gjithë natën’. Qëllimin e zotit Meta e zbuloi shifra 96 e deputetëve që u arrit në Kuvend. Partia e Metës dhe partia e ish- presidentit në vitin 1992- 97,- të dyja ‘dogjën’ mandatet duke qenë të sigurt se Kuvendi do të mbetej me vetëm 74 deputetë të mazhorancës. Ja edhe tre deputetë opozitarë që nuk i dorëzuan mandatet…, kjo nuk e prishte skemën e grushtit. Kur numri arriti në 96, atëherë zoti Meta u alarmua. Ai mendon sipas regjimit të grushtit të shtetit, se me 94 vota, Parlamenti mund të shkarkojë presidentin… Sa ta shkarkojnë ‘armiqtë’, Meta njoftoi më mirë dorëheqjen, ose vetë sakrifikimin alias Allende…

Por edhe për betimin e deputetëve të rinj në Kuvend, partitë e ‘grushtit’ kanë akuzuar Amerikën dhe Evropën. Presidenti nuk i njeh ‘deputetët e rinj’ për të vetmen arsye se bëjnë numrin mbi 94.

Grushti i ’94:

Me 94 deputetë Kuvendi i Shqipërisë bëhet më i fuqishëm se vetë ‘grushti’. Ky është problemi. Me një shumicë të cilësuar në Kuvend mund të miratohen reformat e nisura që bëjnë të mundur afrimin e vendit me BE. Mbi të gjitha- me 94 deputetë garantohet Reforma në Drejtësi. Gjithë ‘grushti’ në fakt nisi për të mbytur Reformën në Drejtësi. Një kastë e tërë politike është e zhytur në krime, në korrupsion, në përvetësime të paligjshme dhe në detin e ‘mos- ndëshkimit’ që e kishte krijuar vetë kasta. Drejtësia e Re që po ngrihet për të gjykuar cilindo fajtor- kjo është ajo që ose duhet mbytur, ose ‘na mbyti!’. Reforma është krijesë e Perëndimit, prandaj Perëndimi është shpallur armik… Atëherë, kryetari i shtetit shpalli ‘sakrilegjin’ sipas stilit të një burri famëmadh, Salvador Allende. Qytetarë të shumtë,  përdorurës të mediave sociale, i shkruan: “Zoti Meta, mos dorëzo mandatin, por na dorëzo floririn”.

Me grushtin nuk menduan se mund të fitonin gjë të përjetshme, por sa të hapnin një gropë.

‘Gropa’ është si ajo e vitit ’97, për shembull; ose edhe si e ‘pranverës Arabe’, që këta e kanë për zemër. Domethënë, nëse do të shpërthente një konflikt i madh, luftë, kacafytje, djegie, shkatërrim, njerëz të vrarë në rrugë…, atëherë kush mund ta kishte mendjen te ‘floriri’, domethënë te pasuria e grabitur nga kombi?! Jo, sigurisht. Madje protagonistët për tre dekada të krimit, do të ktheheshin në shpëtimtarë të post- luftës… Kjo dritë në tunelin e ‘grushtit’ është dalluar qartë që në momentin kur autorët e ‘coup d’ètat’ goditën ‘për vdekje’ Amerikën dhe Europën. Këta kanë paralajmëruar Perëndimin që ‘të shikojë punën e vet’, sepse ‘ne shqiptarët i duam më shumë shqiptarët’. Izolimi ynë nga Perëndimi do të na strukte në vathën e deleve të këtyre mëkatarëve, do të na ftonin një nga një për ‘shelegë gostie’ sa herë të kishin ndonjë darkë të mirë… Konflikti i madh do ta shembte shtetin; në fushën e shtetit të rënë ishin të hynin gati Rusët a Mongolët- nuk ka rëndësi… Këta nuk kanë pikë gajleje se kush vjen për konfliktin, mjafton të hapet gropa për të fshehur ‘floririn’….

Ky ishte ‘grushti’.

(AFP.al)

Share: