Gjykata Penale e Tiranës ka njohur me masat e sigurisë zyrtarët e ministrisë së Drejtësisë të përfshirë me skandalin e tenderave.
Kështu, gjykata ka vendosur “arrest shtëpie” për Juliana Hoxhën, ish sekretaren e Përgjithshme në MD. Ndërkaq, ka ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtepie” për drejtorin Ekonomik Aurel Lamçe dhe specialistin IT, Arlind Alikajn. Gjithashtu gjykata ka lënë në fuqi masën “arrest me burg” për specialistin tjetër të IT Lusien Ali, i shpallur në kërkim. Për zyrtarët e tjerë të përfshirë në skandalin e tenderave, është vendosur që masa e sigurisë të jepet nesër.
Seanca e sotme është zhvilluar pa kamera me kërkesë të Prokurorit Kreshnik Ajazi. Për abuzimet me tenderat po verifikohen edhe dy ish ministrat e LSI, Petrit Vasili e Ylli Manjani.
Zyrtarët e përfshirë janë:
Juliana Hoxha
Lusien Ali
Arlind Alikaj
Airel Lamçe
Marsuela Aliaj
Doralda Muka
Ethem Vigani
Ornela Bleda
Ilir Çuni
Arlin Arapi
Orgesa Goga
Eris Sheshi
5 tenderat abuzivë
Mirembajtja dhe mbikqyrja e sistemit ICMIS ne 7 Gjykatat Administrative
Përmiresimi i sistemit të mbikqyrjes elektronike në fushën penale
Përmirësimi, Zhvillimi dhe Mirembajtja e Regjistrit Noterial Shqiptar
Sistemi i Monitorimit me kamera për burgun e Lezhës dhe Fushë Krujë
Përmirësimi dhe mirëmbajtja e sistemit elektronik te çështjeve të përmbarimit
Sipas prokurorisë Hetimet janë shtrirë pikërisht në këto 5 procedura tenderimi, ndërsa 12 personat e përfshirë dyshohet se kanë konsumuar veprën penale të Shpërdorimit të detyrës dhe atë të Shkeljes së Barazisë së Pjesëmarrjes në tendera.
Ka qenë grupi i inspektimit, i Ministrisë së Drejtësisë dhe më pas ai i Ministrisë së Financave, që kanë evidentuar shkeljet me pasoja të rënda për buxhetin e shtetit.
Shkeljet më të rënda janë raportuar në lidhje me shërbimin e kamerave në burgje, ndërsa ka dyshime se edhe regjistri noterial nuk funksiononte.