Kryeministrja britanike, Theresa May njoftoi sot para deputetëve të partisë së saj konservatore se do të dorëhiqet para etapës së ardhshme të negociatave mbi Brexit, sipas një komunikate nga shërbimet e saj.
“U kërkoj të gjithëve në këtë sallë që të mbështesin marrëveshjen, në mënyrë që të mund të përmbushim detyrën tonë historike – për të vënë në jetë vendimin e popullit britanik dhe për t’u larguar nga Bashkimi Evropian me një dalje të butë dhe të rregullt.
Jam e gatshme të largohem nga kjo detyrë përpara asaj që kisha planifikuar”, tha May.
“Ekziston dëshira për një qasje të re, për një drejtim të ri, për fazën tjetër të negociatave mbi Brexit që do të përcaktojë marrëdhëniet e ardhshme mes Britanisë së Madhe dhe BE-së”, deklaroi May sipas kësaj komunikate.
Tani qeveria pritet ta kthejë marrëveshjen në parlament për një votim të tretë të premten.