Debate të ashpra u zhvilluan në sallën e gjyqit mes prindërve të studentit të ndjerë Marvi Mihali dhe familjarëve të katër të pandehurve të akuzuar për vrasjen e 22-vjecarit. Përplasja mes tyre ndodhi në momentin kur të afërmit e të pandehurve pretenduan se familja Mihali ka kërkuar dëmshpërblim për jetën e të birit. Pavllo dhe Mira Mihali e kundërshtuan ashpër këtë fakt, c’ka shkaktoi tension në gjykatë.
Trupa gjykuese urdhëroi që Mira Mihali të dilte jashtë për shkak se kishte thyer solemnitetin e gjykimit. Jashtë sallës së gjyqit Pavllo dhe Mira Mihali deklaruan se nuk bëjnë pazar me gjakun e të birit dhe se kërkojnë të bëhet drejtësi.
22-vjecari Marvi Mihali u vra pas një përleshje mes të rinjve për një karikues më 31 korrik të 2017. Prokuroria ka shpallur pretencën për 4 të akuzuarit, Dejvi dhe Eugen Bitrajt, si dhe vëllezërit Kridens e Marsel Alla për të cilët ka kërkuar denimë nga 18 deri në 25 vite burgim. Këtë të martë ishte mbrojtja që paraqiti argumentat e saj. Në seancën e datës 26 mars pritet shpallja e vendimit.