Xhonturqit dhe shqiptarët

Histori Kryesore
Patëm folur mjaft e dendur përmbi këta të vetëthënë “xhonër”, i patëm kuptuar bukur qëllimet e tyre të veshgjata! Si të trashë dudumë që janë, s’fshiheshin dot gjëkundi më keq se të vjetrit në veprimet e tyre. Shumë herë, pa lëçitur¹ Konstitucionin, kishim provuar veshgjatësitë e tyre; shumë herë këta të paudhë i kishin shfaqur sheshit dëshirat e qëllimit të tyre përmbi neve shqiptarët.
Më parë se një mot, kur Ahmed Rizai, kryetari i xhemijetit «Itihad ve Tereki»² edhe kryesonjësi i «Mexhlisit Mebusan»³, nxirrte një lëpushkë të quajtur «Mezhveret»⁴ në Paris, mbaj mend se i kundërshtohej shumë fletës shqipe «Pellasgu» në veprimet e kësaj flete.
Shqiptarët, për të prurë një ndryshim në të jetuarit e vendit të tyre, u dhanë dorën e u ndihën xhonturqvet për shpëtimin e mbretërisë otomane; asnjë nga kombet e tjera s’u përpoq për rrënjimin⁵ e Konstitucionit sa u përpoq fatziu kombi shqiptar.
U betuan, u vëllazëruan, u shokësuan me be dhe me besa-besë të jenë vëllezër, drejtpërdrejt sindëkur urdhëron Kanuni Esasi⁶. Me këtë shart, të gjorët shqiptarë u dhanë besën xhon-të-pabesëve të cilët as besë, as fjalë, as burrëri e as njerëzim⁷ kanë! Edhe nuk vetëm që nuk kanë, po kurrën e kurrës do të mos kenë, këta helaqë!
Armenë, bullgarë, arabë, grekë a tjetër, s’ka trazuar gjer më sot komiteti gjakatar “Itihad ve Tereki”, as ndonjë të krishterë shqiptar, nga ata tradhtorët të cilët kërkojnë Greqinë e Serbinë të na i sjellin në Shqipëri; përveç myslimanëve të gjorë të cilët janë shqiptarë; jetimin pa nënë e pa babë e kalbën haps⁸ e tjetrin e shtrinë në mes të Stambollit – djalë të ri e turfandà⁹, në lule të djalërisë. Këto pëson Shqipëria dhe i mjeri Kombi ynë nga të paditurit të bëjmë hesapin mirë.
Askurrë s’na bindi gjësendi, – se do të merrnin, fund, siç bënin hesap ca njerëz – punërat e mbretërisë otomane. Turqia nuk vetëm që është e sëmurë, po dhe u plak e u vjetrua; s’ duket gjëkundi shenjë ndreqjeje, do të mos ketë njeri të çmendur të besojë mê se Turqia mund ta marrë veten e të qëndrojë si mbretëri përpara Fuqive të tjera, të cilat sot gjenden plot shpresë, guxim e forcë.
Gjersa rronte tirania në Mbretërinë Osmane, ja mbulonte kalbësirën e plagët e qelbura të saj despotizma, mirë po sa që po zu të thellojë  neshteri¹º i qytetërimit më poshtë, përnjëherë u hap një erë e kutrumuar dhe që atë çast u shfaqën krimbat përmbi mishtë e kalbur të kufomës së saj. Nuk mund që të rrojë jetë qytetare në një komb të pamësuar dhe kurrë nuk mund të mësohet një komb si turku të pushtojë qytetërinë evropiane!
Nuk i themi nga fanatizma këto fjalë, po puna na i tregon sheshit si 1 dhe 1 bëjnë 2, ku është bërë e gjetur në ndonjë vend tjetër të shokësohet guverna me xhemijete të kusarta, të vrasin, të presin, të vjedhin, të rrjepin e të trembin njerëzinë mê keq se në kohë të tiranisë! Ku janë këta madhështorë¹¹ të sundojnë këto kombësi të çuditshme, të cilat i kanë interesat e kundërta? Ç’i bëri gjithë ato vite zoti Ahmed Riza, të cilat i treti nëpër Evropë? Në ç’shkollë pa ky dudum se u tretkërka aq kollaj kombësia shqiptare? E vërtetojmë, Reiz¹² i Komitetit gjakderdhës « Itihad ve Tereki » se do të mos jetë e largët ajo ditë, në të cilën gjatë e gjerë do ta njohë Bota e qytetëruar kombësinë tonë dhe pastaj hiqjani vetvetes ju me gjithë Anadollin bashkë!
Nuk mund të themi se s’e kanë edhe kuptuar shqiptarët pabesinë e anadollaktë. Xhondudumët u shpejtuan dhe na dhanë me pahir të kuptojmë qëllimet e çnjerëzishme që ushqejnë për humbjen tonë. Burgimi i të ndershmit Himë, abeceja e Hiqmetit, vrasja e atij të ndjerit djalë në mes të Stambollit, shtrëngimi që na bien në zgjimin kombëtar edhe bashkimin e shoqërisë së tyre të kusartë me klubet e nderuara tonat, sindëkur edhe fjala e atij dudumit të madh, Ahmed Rizait, që i cili s’pati turp po në mes të Mexhlizit Mebusan i tha Myfid beut: «S’kemi këtu shqiptarë!» (shikoni fletën «Besa», nr. 16). Edhe të tjera e të tjera, na japin të kuptojmë se duhet ndërruar udha, duhen prerë shpresat e kohëve të vjetra!
Xhonët nuk vetëm që u treguan më të poshtër nga të vjetrit, po dhe fare të pazotë të mbushin motin. Prandaj duhen dhënë munxët të rinjve e të vjetërve dhe të shikojmë hallin tonë.
Qysh duhet parë halli ynë? Qysh duhet të sillemi në këtë rast të rrezikshëm?
Gjithnjë dëgjojmë se shqiptarët e jashtëm, gjer në një farë udhe kanë dhe pak të drejtë, po mos harrojnë dhe këtë fjalë të urtë, të cilën ua porosit një i bir’ i Shqipërisë dhe vëlla i të brendshmëve shqiptarë, që: Çdo kombësi e ka shpirtin e saj brenda në atdhe! Me sa që kemi vojtur e jemi marrë gjer më sot, tani më në fund e kuptuam këtë të drejtë. Nuk mundim të themi se do të mos marrim pjesë dhe neve të jashtmit se sidokudo bota sot u ndryshua, pra ca nga turpi, ca nga dhembshuria, ca nga interesat, ca nga frika e Zotit do të përpiqemi sa të na mundet, po nuk mund të bëhet ajo punë që duhet t’i japë kullim çështjes sonë për së jashtmi, duhet energji së brendshmi.
Shqiptarët, ndo të jashtmit ndo të brendshmit e kuptuan fort mirë qëllimin e xhonturktë, tani s’duhet gjë të na bindë se veç qëllimeve shoviniste të cilat ushqenin për dëmin tonë, po dhe u vërtetua si 2 dhe 2 bëjnë 4 që s’mund të sundojnë dot gjithfarë kombesh e mendimesh të cilat po pushton ajo pushtetësi e çuditshme; prandaj lipset të forcojmë shoqëritë tona me një mënyrë thjesht kombëtare edhe t’i tregojmë Botës së qytetëruar të drejtën se ç’jemi e nga kemi rrjedhur, se neve sindëkur s’duam t’i rrëmbejmë kurrë kujt nga ç’kanë lënë prindërit e tij, kështu s’duam të na rrëmbejnë nga ç’na lanë stërgjyshërit tanë.
Nuk jemi aziatikë neve, dhe po të kërkojmë të drejtat tona sindëkur i kemi, do të mos ketë asnjë të na i mohojë të drejtat të cilat neve vetë i patëm lënë nëpër këmbë të njërit e të tjetrit.
Duke e mbaruar këtë artikull, përsëri tek po u themi atdhetarëve të brendshëm të shtrëngojnë e të forcojnë shoqëritë, klubet e shqiptarta dhe të mblidhen e të veprojnë e të pleqësojnë nevojat e rrezikshme të cilat na kanë zënë pragun e derës, se në ndenjçim siç kishim mbështetur me xhonët e me të vjetrit turq, na mori Djalli me gjithsej e s’e dimë ku do të na shpjerë!
Marrë nga gazeta «Rrufeja», Tubhar-Fayoum, Egypte, maj 1909, nr. 5, fq. 1-2.
Shënime:
¹ Lexuar.
² Shoqëria « Bashkim dhe Përparim ».
³ Dmth. “dhoma e përfaqësive”, – dhoma e ulët e Asamblesë së Përgjithshme të parlamenti osman.
⁴ Konsultimi.
⁵ Rrënjosjen.
⁶ Kushtetuta osmane e vitit 1876. Burimi i frymëzimit të revolucionit xhonturk (korrik 1908), qe kjo kushtetutë; bashkë me të, u risoll në fuqi politika shumëpartiake me një sistem zgjedhor në dy etapa (ligji elektoral), nën parlamentin osman. Figurat më të përmendura ishin Mid’hat Pasha, princi Sabahedin, Fuad Pasha dhe Namik Qemali, udhëheqësit ushtarakë Nijazi bej dhe Enver Pasha, nën parullën Liri, Barazi, Vëllazëri (“Hürriyet, Müsavat, Uhuvvet”). Më 13 prill 1909, njësi të ushtrisë ngritën krye; këtyre iu bashkua një masë e madhe studentësh teologjie dhe klerikësh me çallmë që thërrisnin “Duam sheriatin!” dhe bënë përpjekje për të rikthyer pushtetin absolut të sulltanit. Incidenti i 31 marsit (13 prill ’09, sipas kalendarit gregorian) i ktheu veprimet përmbys më 24 prill ’09, duke risjellë parlamentin me urdhër të Mahmud Shevqet pashës. Pasoi shfronësimi i Abdyl Hamitit II, në favor të Mehmetit V.
⁷ Njerëzi.
⁸ Në burg.
⁹ I njomë.
¹º Bisturia.
¹¹ Mendjemëdhenj.
¹² President.
Përgatiti: Edion Petriti
Share: