Deputeti i Kosovës, Fisnik Ismaili dënohet me burg për hedhjen e gazit lotsjellës

Aktualitet Politikë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Socialdemokrate (PSD), Fisnik Ismaili, është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, pasi është shpallur fajtor për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Mirëpo, dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.Ismaili akuzohet se më 30 nëntor 2015, në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë një kontrolli nga ana e policisë, i janë gjetur dhe sekuestruar dy bombola me gaz lotsjellës, të cilët i kishte fshehur në këpucët e tij, me qëllim që t’i fusë në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj tij, sipas gjykatësit Vesel Ismaili, gjithashtu është shpallur edhe aktgjykim plotësuses, ku i është konfiskuar bombola e gazit lotsjellës.Ndërsa, për pikën dy të aktakuzës, ndaj deputetit Ismaili, është shpallur aktgjykim refuzues pasi prokurori kishte hequr dorë nga ndjekja penale.

Ismaili është detyruar që të paguajë edhe paushallin gjyqësor në shumë prej 100 euro.Ndryshe, në seancën e mbajtur më 12 mars të këtij viti, prokurori Ilaz Beqiri, kishte thënë se pas shikimit të video incizimeve, për deputetin Ismaili, është tërhequr nga ndjekja penale për pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrave zyrtare.

Sipas prokurorit Beqiri, nga provat e administruara në këtë shqyrtim gjyqësor nuk ishte vërtetuar se Ismaili kishte tentuar që ta ndalin dhe ta shoqërojnë në polici deputetin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, ndërsa, ai mbeti pranë aktakuzës për posedim të gazit lotsjellës.I akuzuari Ismaili gjatë dhënies së mbrojtjes, ka mohuar fajësinë për të dyja veprat penale.Ai kishte thënë se nëntori dhe fillimi i dhjetorit të vitit 2015, kishte qenë koha kur Kuvendi i Kosovës kishte mbajtur seancë, dhe se në atë kohë ai kishte qenë deputet nga Lëvizja “Vetëvendosje”.

Sipas Ismailit, gjatë këtyre seancave, nga ana e disa deputetëve ishin përdorur bombola të gazit, brenda në sallën e parlamentit, por tha se ai personalisht nuk kishte përdorur bombola të gazit.“Unë asnjëherë nuk kam përdorur bombola gazi në asnjë seancë të Kuvendit”, kishte deklarua Ismaili.

Ndryshe, sipas aktakuzës së 5 janarit 2015, ai dyshohet se më 30 nëntor 2015 në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë një kontrolli nga ana e policisë, tek i pandehuri ishin gjetur dhe sekuestruar dy bombola me gaz lotsjellës, të cilët i kishte fshehur në këpucët e tij, me qëllim që t’i fusë në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa për piken 2 të aktakuzës, për të cilën prokurori është tërhequr nga ndjekja penale, ai dyshohej se më 17 nëntor 2015, në dalje të Kuvendit të Kosovës, i kishte penguar pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Isuf Xhemajlin, Mehdi Kozhanin, Rifat Gashin, Ali Berishën dhe Faik Krasniqin në kryerjen e detyrave zyrtare.

Sipas kësaj aktakuze, në momentin kur policët kishin tentuar që ta ndalin dhe ta shoqërojnë në polici deputetin tjetër të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i akuzuari Ismaili afrohet me deputetet e tjerë në mes dhe pamundëson shoqërimin e tij në polici.Tashmë, Ismaili po ngarkohet vetëm për përdorim të gazit lotsjellës.

Share: