Partia Socialiste nuk do të pranojë të marrë mandate nga ato të opozitës, në qarqet ku pritet të shterojnë listat e kandidatëve pa arritur të plotësohen vakancat në Parlament.
Rasti më i afërt është ai i PD në Kukës, ku mbetet ende pa zëvendësuar mandati i Isuf Çelës. I fundit në listën e kandidatëve demokratë është Miftar Dauti, që ka kohë deri të premten për të dorëzuar formularin e dekriminalizimit.
Burime nga selia blu theksojnë se Dauti nuk do ta pranojë mandatin, duke ezauruar kështu listën e kandidatëve të PD, shkruan topchannel.
Në këto kushte, krijohet një situatë që nuk është e parashikuar në Kodin Zgjedhor, i cili tregon vetëm si procedohet kur partitë kanë garuar në koalicione. Në zgjedhjet e vitit 2017-të gjithë hynë të vetëm gjë që krijon një situatë ekstraligjore përsa i përket plotësimit të vakancave në Parlament.
Nuk mungojnë interpretimet sipas të cilave mandati duhet t’i kalojë partisë me hercin më të madh në qark, gjë që do të favorizonte socialistët. Por burimet në PS theksojnë se përsa kohë kjo nuk specifikohet qartë në Kodin Zgjedhor, partia në pushtet nuk do të pranojë të marrë mandate që nuk i janë dhënë drejtpërdrejtë nga zgjedhësit me votë.