Ish-këshilltari i Metës pranon mandatin: Dua të jem në krahun e drejtë të historisë

Aktualitet Kryesore Politikë

Ralf Gjoni është kandidati i disatë nga radhët e LSI-së për Qarkun e Tiranës që pritet të marrë shumë shpejt mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, pasi ka dorëzuar formularin e dekriminalizimit, një shenjë e vullnetit për të pranuar mandatin.

I pyetur nga Top Channel, kandidati i listës shumemërore të LSI-së për kryeqytetin, njëkohësisht ish-sekretar ndërkombëtar i LSI-së dhe ish-zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme, sikurse edhe ish-këshilltar për politikën e Jashtme pranë kryetarit të Kuvendit, Gjoni është shprehur:

“Po! Konfirmoj se sot kam dorëzuar pranë KQZ-së formularin e vetëdeklarimit për garantimin e integritetit të kandidatit dhe, në varësi të vendimit të KQZ-së, kam vendosur pranimin e mandatit të deputetit në Kuvendin e Shqipërisë, sipas ligjit dhe në funksion të Kushtetutës”.

Gjoni ka vijuar më tej duke argumentuar pse ka marrë këtë vendim.

“Ky ka qenë ndoshta vendimi më i vështirë politik në jetën time dhe pas një konsultimi të gjerë e të gjatë me familjen time, miq të afërt e kolegë brenda e jashtë vendit, si dhe me votues e aktivistë të shumtë që më kanë mbështetur gjatë fushatës elektorale, kam vendosur të vazhdoj shërbimin tim ndaj agjendës euroatlantike të vendit, e të jem në krahun e drejtë të historisë”, tha Gjoni .

Ralf Gjoni shprehet më tej se emri dhe integriteti i tij “nuk mund t’i shërbejnë kurrë destabilizimit të vendit”.

“Ndaj sot, të gjithë duhet të marrin përgjegjësitë që kanë për të garantuar funksionimin normal të Parlamentit, si themel i shtetit shqiptar. Shqiptarët meritojnë qetësi, progres e shpresë për të ardhmen”, shprehet Gjoni.

Mësohet se Gjoni ka pasur kontakte me Uashingtonin, Berlinin e Brukselin gjatë këtyre ditëve dhe është inkurajuar të hyjë në Parlament.

Share: